Vuçiq në Munih kritikon politikanët kosovar: Janë jashtë realitetit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se marrëdhëniet Prishtinë-Beograd sot janë shumë më të komplikuara se sa ato që ishin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë para zgjidhjes së kontestit të emrit.
Ai në panelin e diskutimit ku po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Serbia po bën më të mirën e mundshme për të gjetur zgjidhje dhe po përmbushë obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit.
Vuçiq ndërkaq akuzoi palën kosovare se ka dështuar të përmbushë marrëveshjet e Brukselit, ndërkohë që kanë vendosur edhe masën 100 për qind për mallrat serbe, e cila nuk është larguar pavarësisht presionit ndërkombëtar me në krye SHBA.
“Serbia nuk ka reaguar fare dhe nuk kemi marrë masa reciproke, por ajo që përballemi me platformën e dialogut nga e ashtuquajtura Qeveria e Kosovës, e cila kushtëzon që Kosova duhet të mbrojë integritetin e saj territorial dhe në të njëjtën kohë Serbia duhet të njohë Kosovën”, tha Vuçiq, duke shtuar se politikanët kosovarë ‘janë jashtë realitetit’.

Lexo edheKonferenca e Sigurisë, Thaçi ia përmend krimet e luftës Vuçiqit
Ai tha se Kosova kërkon të fitojë të gjitha dhe Serbia të mos fitojë asgjë, gjë e cila sipas tij nuk do të ndodhë.
“Ne do të bëjmë më të mirë për gjetjen e kompromisit, që nuk do të paraqesë kapitullimin e njërës palë, në këtë rast kapitullimin e Serbisë”, porositi presidenti Vuçiq, duke shtuar se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun pas heqjes së taksës ndaj mallrave serbe.














