Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas një procesi përgatitor disa-javor, sot po zhvillohet votimi për shtetasit e Republikës së Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike jashtë vendit.
Sipas KQZ-së, gjithsej 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët ishin regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht, kanë të drejtë vote në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Votimi në Konsullatën e Kosovës në Stamboll do të përfundojë në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, ndërsa në orën 19:00 do të mbyllen qendrat e votimit në shtete të tjera, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.
Ndërkohë, votimi në Ambasadën e Kosovës në Londër do të përfundojë në orën 20:00, ndërsa në orën 01:00 të ditës së ardhshme, sipas kohës lokale në Kosovë, do të mbyllet procesi i votimit në katër përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
KQZ ka bërë të ditur se procesi po zhvillohet në përputhje me procedurat zgjedhore dhe se do të monitorohet deri në përfundimin e plotë të votimit.
Deri në ora 13:00 kanë votuar 7 mijë e 79 votues në përfaqësi diplomatike./lajmi.net/


