Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka reaguar lidhur me zhdukjen e dy policëve të cilët mbrëmë me veturë ranë në lumin Lepenc që gjendet në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit.
Ai thotë se është pikëllues ky lajm dhe se ndan shqetësimin me familjarët dhe miqtë.
‘Është shumë pikëllues lajmi për zhdukjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc. Ndajë shqetësimin me familjarë dhe miq në këtë fazë shumë të vështirë të shpresës dhe frikës për fatin e policëve tonë.
Ngjarjet si kjo na bëjnë të mos harrojmë kurrë se policia e Kosovës është ajo që me shumë mund dhe shpesh dhe sakrificë kujdeset që ne të jetojmë në ambient të sigurtë.
Falënderoj të gjitha njësitë relevante, Policinë e Kosovës, FSK-në, zjarrëfikësit dhe të gjithë të përfshirët në kërkim të dy policëve tanë.’, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Periskopi.
Policia bashkë me zhytësit ka vazhduar kërkimet deri në orën 04;00 të mëngjesit, por pa rezultat.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi sot për Periskopin ka thënë se në orët e parë të mëngjesit janë detyruar të ndërpesin kërkimet për shkak të kushteve të natës.
Por ai ka thënë se sot do të vazhdojnë sërish me kërkrimin e dy policëve.
‘Jemi t’u punu në bashkëpunim me FSK-në dhe zhytësat. Në orën 04:00 janë ndërprerë shkaku i kushteteve të natës dhe sot do të vazhdojmë kërkimet’, ka thënë Gashi për Periskopin.
‘Jemi duke bërë kërkimet tona dhe nuk mund të parashikojmë se çka do të ndodh tutje’, ka shtuar ai.
Periskopin ka mësuar se policët në fjalë vijnë nga Kaçaniku dhe emrat e tyre janë Malësor Dashi dhe Armend Trena./Periskopi/