Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka komentuar thirrjen e vendeve të QUINT’it që sot kërkuan vazhdim të dialogut dhe heqje të taksës. Veseli po shton se fillimisht vendi duhet që të shkojë në zgjedhje e pastaj të kujdesën që të mbajnë marrëdhënie me aleatët ndërkombëtare, e jo t’i trajtojnë ata si armiqë, raporton Gazeta Express.
Në një reagim përmes Facebook-ut, Veseli ka shkruar se pavarësia e Kosovës është arritur përmes një aleance të fortë me perëndimin, e që shton se një nga temat që duhet të vendoset në këto zgjedhje është edhe nëse duhet të ruhen marrëdhëniet me aleatët ndërkomëbtarë, apo të vendosin t’i trajtojnë ata si armiqë.
“Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin. Një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme”, ka shkruar Veseli.
“Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut”
I njejti ka shkruar se kërkojnë nga BE që të parandalohet financimi i strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë.
“Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, tha ai.
Për këtë çështje kanë reaguar për Express edhe nga Qeveria e Kosovës në dorëheqje./Express