Çdo herë kur ka të reshura, Komuna e Malishevës është e para e cila vërshohet nga uji.
Edhe kësaj here, lumi “Mirusha” ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme të mëdha sidomos në sektorin e Bujqësisë, raporton KTV.
Reshjet e shiut kanë bllokuar shumë rrugë dhe shumë banorëve uji u ka depërtuar brenda shtëpive.
Edhe zyrtarët e Komunës së Malishevës kanë dalë në terren dhe kanë vlerësuar dëmet.
Ata thonë që dëmet janë të konsiderueshme, por që ata nuk kanë mundësi t’i kompensojnë të dëmtuarit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 1 milion euro, llogariten të jenë dëmet në këtë Komunë, ndërsa vetëm 25 mijë euro ka ndarë Ministria e Bujqësisë për t’i kompensuar bujqit.
Hiç më mirë nuk ka shpëtuar as Komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe ajo e Mitrovicës.
Në këto qytete, dhjetëra familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre të premten mbrëma.
Nga agjencia për Emergjenca thonë se për dallim nga e premtja, të shtunën gjendja është me qetë, ekipet kanë dalë në terren për t’i vlerësuar dëmet.