Vendimi i Apelit hap rrugën për kthimin e fëmijëve te familja Ademaj, avokati Syla: Është ambienti më i përshtatshëm për ta
Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla për lajmi.net, ka folur pas vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, duke vlerësuar se vërtetimi i dënimeve të shkallës së parë sjell një lehtësim për familjen dhe hap rrugën ligjore për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve.
Sipas Sylës, vendimi i Apelit ka vërtetuar gjendjen faktike dhe ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje procedurale, duke e bërë të plotfuqishëm dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe dënimin me 30 vite burgim për Kushtrim Kokallën, transmeton lajmi.net.
Duke komentuar ndikimin e këtij vendimi te familja e të ndjerës, Syla theksoi se tashmë Naim Murseli nuk gëzon më prezumimin e pafajësisë, çka heq pengesën kryesore ligjore që e kishte familja Ademaj për të kërkuar zyrtarisht kujdestarinë e fëmijëve në Suedi.
“Padyshim një vendim i tillë është mirëpritur nga familja Ademaj, për shkak se tani Naim Murseli është i dënuar. Nuk qëndron më prezumimi i pafajësisë si masë ndaj të paraburgosurve deri në vendim të plotfuqishmërisë. Kështu që padyshim ishte një lehtësim sadopak, përkundër që asgjë nuk e kthen Liridonën”, u shpreh Syla.
Ai shpjegoi se familja Ademaj edhe më herët kishte paraqitur kërkesa në institucionet suedeze për takime të vazhdueshme me fëmijët, por nuk mund të bënte kërkesë formale për kujdestari përderisa babai i tyre ishte ende i padënuar me vendim të formës së prerë.
Tani, sipas tij, hapet rruga që fëmijët t’i besohen familjes Ademaj, e cila edhe nga vlerësimet e mëhershme të institucioneve suedeze është konsideruar si më e përshtatshmja.
“Besoj që ky vendim do të jetë një fillim i ri, pra një fund me një fillim, i cili do të shpresojmë që do të kulmojë me ardhjen e fëmijëve në Kosovë dhe dorëzimin te familja Ademaj, ku konsiderojmë që është ambienti më i përshtatshëm për një jetë normale dhe pranë atyre që i duan”, deklaroi avokati.
Lexo edheNetanyahu i gatshëm t’ia lërë fillimisht postin e kryeministrit Gadi Eisenkotit për t’i dhënë fund krizës politike
Sa i përket aspektit penal, Syla bëri të ditur se pala e dëmtuar kishte kërkuar që veprimet e Kushtrim Kokallës të trajtohen edhe në kuadër të bashkëpunimit dhe anëtarësisë në grup të organizuar kriminal.
Megjithatë, ai sqaroi se Gjykata e Apelit, bazuar në rezymenë e publikuar, ka arsyetuar se Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim më të butë për dhënien e ndihmës krahasuar me kryerjen direkte të veprës penale.
Avokati shtoi se ende nuk e kanë pranuar vendimin e plotë të Apelit në formë të shkruar.
Pasi ta pranojnë dhe ta analizojnë bashkë me Leonardin dhe familjen Ademaj, do të vendosin nëse do të ushtrojnë mjete të jashtëzakonshme juridike lidhur me rikualifikimin e veprës për Kokallën, apo nëse do t’i kundërpërgjigjen mjeteve të jashtëzakonshme që pritet t’i paraqesë mbrojtja.
Në fund, Syla vlerësoi se sa i përket zbardhjes së të vërtetës, procesi ka përmbushur pritshmëritë e familjes.
“Konsideroj se në aspektin e informacioneve se sa i është dashur familjes Ademaj të dijë për rastin, është ezauruar në kuptim të informacioneve esenciale për të kuptuar shkaqet, pasojat dhe motivet”, përfundoi ai./lajmi.net/



