Shteti që drejtohet nga Ramush Haradinaj me dokument zyrtar sipas Vehbi Kajtazit, u ka rekomanduar gazetarëve që të pajisen me armë.
Gazetari Vehbi Kajtazi në emisionin Rubikon ku po flitej për sigurinë e gazetarëve ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, atij personalisht dhe kolegut të tij Parim Olluri u ka rekomanduar që të pajisen me armë me leje.
Sipas tij, kjo është situatë e rëndë në të cilën ndodhet vendi. “Rekomandimi zyrtar i Policisë së Kosovës, është që të merrni revole me leje dhe bartja e jelekut antiplumb nën këmishë”, ka thënë Kajtazi, përcjell gazetametro.net.
Tutje, ai ka thënë se vendi ka arritur në një pikë, ku ai ndoshta nesër i duhet të dalë në rrugë i armatosur. “Çka nëse unë kisha pasur armë atë ditë kur jam sulmu? E kisha vra. Po e marrë si shembull, sepse në kushtet e vetëmbrojtjes, instikti nuk zgjedh mënyrë”, ka thënë Kajtazi, i cili është kundërshtuar nga këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, i cili me habi ka thënë ‘jo more se s’duhet thënë ashtu’.
Por, në mbështetje Kajtazit i ka dalë drejtuesi i emisionit Adriatik Kelmendi, i cili ka pyetur, se ‘nëse rekomandimi i policisë për t’u mbrojtur është pajisja me armë, atëherë për çka është arma’.
Gjithashtu, Kajtazi ka bërë të ditur se ai tanimë ka kryer kursin për gjuajtje me armë, dhe nesër ndoshta edhe do të pajiset me revole, të cilën në këto kushte të rrezikut të gazetarëve do t’i duhet ta mbajë me vete. /gazetametro.net

