Ylli i Grand Ole Opry ndërroi jetë të premten, më 1 gusht, në Qendrën Mjekësore Summit në Hermitage, Tennessee, si pasojë e ndërlikimeve nga një infeksion i zorrëve, konfirmoi përfaqësuesi i saj për revistën People.
Jeannie Seely, e cila humbi bashkëshortin e saj Eugene Ward nga kanceri në dhjetor të vitit 2024, kishte përballuar probleme serioze shëndetësore gjatë gjithë vitit 2025. Ajo iu nënshtrua operacioneve të shumta në shtyllën kurrizore gjatë pranverës për të riparuar rruazat, si dhe dy operacioneve urgjente në bark. Gjatë qëndrimit në spital, ajo kaloi 11 ditë në njësinë e kujdesit intensiv dhe vuajti gjithashtu nga pneumonia.
Kush ishte Jeannie Seely?
Jeannie Seely arriti suksesin në vitin 1966 me këngën “Don’t Touch Me”, një hit që e ngriti atë në majat e muzikës country. Ajo pati gjithashtu hite të tjera si:
“A Wanderin’ Man”
“I’ll Love You More (Than You’ll Need)”
dhe duetin e famshëm me Jack Greene, “Wish I Didn’t Have to Miss You” (1969).
Ajo ishte një anëtare e përkushtuar e Grand Ole Opry, duke performuar mbi 5,300 herë në skenën e saj.
Seely lindi në vitin 1940 në Titusville, Pensilvani, dhe u rrit në Townville. Ishte më e vogla nga katër fëmijë. Dashurinë për Opry e zbuloi që në fëmijëri, kur familja dëgjonte transmetimet radiofonike çdo të shtunë në mbrëmje.
“Në moshën 8-vjeçare e dija çfarë doja të bëhesha”, – tha ajo për People në vitin 2022. “Dhe e dija se doja të isha pjesë e Opry-t.”
E frymëzuar nga artistë si Roy Acuff, Minnie Pearl, Ernest Tubb, Kitty Wells dhe të tjerë, ajo ëndërronte të bëhej pjesë e asaj familjeje.
Në moshën 11-vjeçare, ajo filloi të këndonte në një stacion radio lokal. Pas shkollës së mesme, punoi si stenografe, derisa u transferua në Kaliforni në vitin 1961, në kërkim të një klime më të ngrohtë. Fillimisht punoi në një bankë, por më pas u punësua si sekretare në Imperial Records, ku nisi të shkruante këngë.
Ajo bashkëshkroi “Anyone Who Knows What Love Is (Will Understand)” me Randy Newman – një këngë që u bë hit për Irma Thomas. Seely shkroi gjithashtu këngë për emra si Connie Smith, Dottie West dhe Norma Jean.
Në vitin 1965, u transferua në Nashville me kohë të plotë dhe nënshkroi kontratë me Challenge Records. Vitin tjetër, publikoi “Don’t Touch Me” me Monument Records, që u ngjit në vendin e dytë në listën Hot Country Songs dhe i siguroi dy nominime për çmimin Grammy, duke fituar atë për Performancën më të Mirë Femërore Country. Ajo u quajt “Miss Country Soul” për stilin e saj emocional dhe të thellë.
Anëtare e Grand Ole Opry
Suksesi i saj i siguroi një ftesë për në Grand Ole Opry, ku në vitin 1967 u bë anëtare zyrtare.
“Opry është thjesht një mënyrë jetese për mua,” – thoshte ajo.
Në paraqitjen e saj të parë, këngëtaret zakonisht mbanin funde të gjata me pala, por Seely u shfaq me një minifund – gjë që shkaktoi reagim nga menaxheri Ott Devine. Ajo i tha:
“Sapo kam ardhur nga Kalifornia. Kjo është çfarë të gjithë veshin atje. Trendi po vjen.”
Pas saj, edhe gratë e tjera ndaluan së veshuri funde me pala.
Karriera dhe jeta personale
Ajo vazhdoi të publikonte hite si:
“It’s Only Love” (1966)
“A Wanderin’ Man” (1967)
“I’ll Love You More (Than You Need)” (1968)
Dueti me Jack Greene, “Wish I Didn’t Have to Miss You” (1969), arriti në vendin e dytë dhe i solli një nominim të tretë për Grammy.
Në vitin 1969, u martua me kompozitorin Hank Cochran. Albumi i saj “Thanks, Hank!” (1967) ishte një dedikim për të. Pas një aksidenti të rëndë automobilistik në vitin 1977, karriera e saj pësoi një ndalesë të përkohshme. Ajo dhe Cochran u divorcuan në vitin 1981. Më pas, marrëdhënia e saj me Jack Greene përfundoi në vitin 1982.
Ajo u nominua katër herë për çmimet CMA dhe në vitin 2023 u nderua me Çmimin Joe Talbot për kontributin e saj në traditën e muzikës country. Gjatë karrierës së saj, publikoi më shumë se 15 albume.
Në vitin 2010, ajo u martua me avokatin Gene Ward dhe qëndroi pranë tij deri në vdekjen e tij në dhjetor 2024.
Trashëgimia
Jeannie Seely vazhdoi të performonte në Grand Ole Opry deri në fund të jetës së saj. Në vitin 2022, ajo festoi 55 vjet si anëtare, duke përmbushur plot 5,397 paraqitje në skenë.
Në vitin 2024, ajo publikoi këngën “Suffertime” dhe ishte duke përgatitur materiale të reja muzikore.
“Kjo është çmenduri,” – tha ajo për People. “Është e pabesueshme që unë ende mund ta bëj.”
