Ushtarët izraelitë shuan ëndrrat e palestinezit 16-vjeçar që dëshironte të bëhej yll futbolli

Palestinezi 16-vjeçar Saeed Odeh, i cili u martirizua në sulmin e ushtarëve izraelitë në Odala pranë qytetit të Nablusit në Bregut Perëndimor, ishte një lojtar i mirë futbolli, por plumbat e ushtarëve izraelitë ia shuan ëndrrat, shkruan Anadolu Agency.
Forcat izraelite intensifikuan valën e bastisjeve dhe ndalimeve në rajon me arsyetimin e kërkimit të autorëve pas një sulmi të armatosur ndaj kolonëve hebrenj në pikën e kontrollit ushtarak izraelit Zaatara, pranë qytetit të Nablusit në Bregun Perëndimor, më 2 maj.
Odeh, i cili ishte vetëm 16 vjeç, u vra gjatë kësaj vale sulmesh nga zjarri i hapur nga ushtarët izraelitë në qytezën Odala në Nablus, ku ai jetonte.
Odeh, një futbollist i mirë, ëndërronte të bëhej lojtar me famë botërore. Për ta realizuar këtë ëndërr, ai u regjistrua në një akademi futbolli në Nablus.
Ëndrra e Odeh-s, i cili mori pjesë në shumë turne futbolli të mbajtura në Jordani dhe Turqi, u shkatërrua nga ushtarët izraelitë pa ndonjë arsye, sipas organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Lajmi i martirizimit ishte shumë i madh për ne”
Babai Yusuf Odeh, tha për AA: “Saeed kishte marrë pjesë në një kampionat të mbajtur në Turqi muajin e kaluar dhe para kësaj në një turne tjetër në Jordan. Ai ishte një entuziast i futbollit”.
Duke treguar se djali i tij u vra me gjakftohtësi nga ushtarët izraelitë, babai i pikëlluar deklaroi: “Djali im po përgatitej të merrte pjesë në një kampionat arab që ishte planifikuar të mbahej në Sharm al-Sheikh të Egjiptit muajin tjetër, por ata e vranë”.
Babai Odeh tha se nuk mund ta besonte lajmin e martirizimit të djalit të tij.
“Lajmi i martirizimit ishte shumë i madh për ne. Në fillim nuk mund ta besoja. Por ky ishte caktimi i Zotit”, theksoi ai.
“Ata e ekzekutuan djalin tim pa gjyq. Çfarë kërcënimi u paraqiti Saeed-i atyre të armatosur që e vranë atë me gjakftohtësi? Ata gjithashtu parandaluan që ekipet e ndihmës së shpejtë të arrijnë tek ai”, tha Odeh, duke nënvizuar pamëshirshmërinë e ushtarëve izraelitë.
“Ëndrra e tij ishte futbolli”
Ndërkaq, Ahid Abdurrahim, trajneri i dëshmorit palestinez, u shpreh: “Ëndrra e Saeed-it ishte futbolli. Ai ishte lojtar shumë i mirë dhe adhurues i futbollit. Ai ndiqte nga afër gjithçka në lidhje me lojën”.
Abdurrahim kujton se Odeh u regjistrua në Akademinë Gjermane të Futbollit Pele në Nablus pesë vjet më parë dhe tha se ai mori pjesë në shumë turne futbolli.

Lexo edheIndia thyen rekorde tragjike, më shumë se 4 mijë viktima në ditë
Sipas tij, i mituri palestinez Odeh ëndërronte të bëhej yll i famshëm futbolli.
“Ushtarët izraelitë shuan një yll futbolli të sapolindur në Bregun Perëndimor”, tha ai.
16-vjeçari Odeh, i cili u martirizua nga ushtarët izraelitë të mërkurën, 5 maj, u varros të enjten në Odala të Nablusit, vendlindjen e tij. Mijëra palestinezë morën pjesë në ceremoninë mortore në Odala, ndërkohë që trupi i dëshmorit palestinez u varros me tekbire dhe parulla.
Dënim nga Lëvizja Botërore për Mbrojtjen e Fëmijëve
Në një deklaratë me shkrim nga Dega Palestineze e Lëvizjes Botërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, u dënua vrasja e Odeh-s nga forcat izraelite.
Në deklaratë u theksua se ushtarët izraelitë që bastisën qytezën Odala e vunë në shënjestër Odeh-n me plumba të vërtetë, edhe pse ai nuk ishte pjesë e incidenteve.
Deklarata theksoi se palestinezi 16-vjeçar nuk përbënte ndonjë kërcënim për ushtarët dhe ai është fëmija i dytë palestinez që martirizohet nga ushtarët izraelitë që nga fillimi i këtij viti.
Reagim nga Autoriteti Palestinez
Ndërkaq, Ministria e Jashtme palestineze dënoi vrrasjen e Odeh-s në një deklaratë me shkrim, kurse Presidenca e Palestinës reagoi ndaj Izraelit.
Zëdhënësi i presidencës, Nebil Abu Rudeineh, deklaroi se Izraeli “këmbëngul të ndjekë politikën e ekzekutimit jashtëgjyqësor” dhe theksoi që administrata e Tel Avivit “nuk respekton të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut”.
Abu Rudeineh i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojë mbrojtje për popullin palestinez.
Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale të përmbushë përgjegjësitë e saj. Ministria theksoi që kjo gjykatë duhet të përshpejtojë hetimin e krimeve të pushtuesit izraelit në Kudsin Lindor, Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, veçanërisht martirizimit të Odeh-s.














