U bllokuan në Valbonë, policia e Shqipërisë shpëton dy turistë belgë: U akomoduan në një bujtinë, janë mirë

Dy turistë nga Belgjika janë shpëtuar, pasi që të njëjtit ishin bllokuar në Valbonë për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.
Kështu ka njoftuar Policia e Shtetit të Shqipërisë, nga ku është shtuar se turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe se të njëjtit janë akomoduar në një bujtinë në Valbonë.
Postimi:
Valbonë
Kishin mbetur të bllokuar në një terren tejet të thepisur dhe me dëborë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”.
Policia e Tropojës, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit të Valbonës, u kanë ardhur në ndihmë turistëve.

Lexo edheTë shtëna me armë në Ferizaj, plagosen dy persona
Rreth orës 14:00, është marrë njoftim se 2 turistë nga Belgjika, duke eksploruar Alpet e Valbonës, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit Valbonë, organizuan punën dhe nisën kërkimet për lokalizimin e turistëve.
Pas disa orësh kërkime në këmbë, nga shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit Valbonë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, u lokalizuan dy turistët që kishin mbetur të bllokuar.
Turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë akomoduar në një bujtinë në Valbonë. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe ekipin e kërkim-shpëtimit për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që, për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.














