Gypa të tjerë në vend të bakrit, dëm ndaj Komunës së Prizrenit: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi dhe kompanie

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.K., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “E.I.” SH.P.K., si dhe ndaj kësaj kompanie, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti lidhet me një kontratë për “Rregullimin e nxemjes qendrore në sallën e baletit në SHM ‘Lorenc Antoni’” në Prizren.
Sipas aktakuzës, më 10 dhjetor 2022, Xh.K., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë, dyshohet se ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e përcaktuara me kontratë.
Prokuroria pretendon se ai ka përdorur materiale për ngrohjen qendrore në kundërshtim me detyrimet e kontratës, duke vendosur gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi, të materialit “inox”, në vend të gypave të bakrit të paraparë në kontratë.
Sipas aktakuzës, këto materiale nuk kanë qenë në përputhje me paramasat dhe parallogaritë për kryerjen e punimeve të ngrohjes qendrore, si dhe me specifikimet për furnizimin dhe montimin e pjesëve dhe pajisjeve të përcaktuara në kontratë.

Lexo edheLushtaku: Kurti po e zvarrit Ligjin për Specialen, po tenton ta zbusë kërkesën e protestuesve
Prokuroria thotë se veprimet dyshohet se janë kryer me qëllim të përfitimit për vete dhe se me këtë i është shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.
Po ashtu, sipas aktakuzës, edhe personi juridik “E.I.” SH.P.K. dyshohet se ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Lajmi.net/












