Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një rishikim të një sërë sanksionesh dhe masash kufizuese të vendosura gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, ndërsa një nga vendimet e para ka qenë heqja nga lista e ndalimeve të biznesmenit bullgar Alexander Manolev.
Sipas raportimit të mediumit The Pavlovic Today, Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Manolev, ish-zëvendësministër i Ekonomisë në Bullgari, është larguar nga një masë e vendosur në vitin 2021, e cila ia ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara atij dhe familjes së tij, transmeton IndeksOnline.
Manolev ishte përfshirë në listën e kufizimeve sipas nenit 7031(c), që përdoret ndaj zyrtarëve të huaj të dyshuar për korrupsion të rëndë ose shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, ai ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se vendimi ishte bazuar në informacione të pasakta dhe me prapavijë politike.
Raporti thekson se administrata Trump po shqyrton edhe raste të tjera të vendosura gjatë viteve të Bidenit, pasi disa zyrtarë aktualë besojnë se një pjesë e sanksioneve janë përdorur më shumë për qëllime politike sesa për objektiva të mirëfillta të sigurisë kombëtare.
Në artikull përmendet gjithashtu se zyrtarë pranë administratës Trump po analizojnë ndikimin e mundshëm të rrjeteve të ndryshme politike dhe organizatave ndërkombëtare në vendimet e mëparshme të sanksioneve, përfshirë pretendimet për ndikimin e fondacioneve të lidhura me miliarderin George Soros.
Heqja e emrit të Manolevit konsiderohet nga vëzhguesit si një nga sinjalet e para të ndryshimit të qasjes së administratës Trump ndaj politikës së sanksioneve, ndërsa pritet që rishikimi të përfshijë edhe raste të tjera të profilit të lartë./IndeksOnline/