Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi sot përmes një telefonate në një samit të rëndësishëm të aleatëve të Ukrainës, i cili po mbahet në Paris.
Pjesëmarrja e tij u konfirmua nga zyrtarë të administratës amerikane, të cilët zbuluan edhe thelbin e mesazheve që ai përcolli gjatë bisedës me udhëheqësit evropianë, transmeton lajmi.net.
Gjatë ndërhyrjes së tij, Presidenti Trump ka theksuar nevojën që vendet evropiane të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, duke e cilësuar këtë praktikë si burim financiar që po mban në këmbë luftën në Ukrainë. Sipas të dhënave ndërkombëtare, Bashkimi Evropian ka blerë nga Rusia karburant në vlerë prej 1.1 miliardë euro brenda një viti, pavarësisht sanksioneve dhe krizës në lindje të Evropës.
Trump gjithashtu ka kërkuar që Evropa të rrisë presionin ekonomik ndaj Kinës, duke e cilësuar mbështetjen e mundshme të saj për përpjekjet luftarake të Rusisë si faktor destabilizues global.
Në këtë takim në Paris, ku temë bosht është përkrahja ndaj Ukrainës dhe përshpejtimi i koordinimit perëndimor, i pranishëm ishte edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar më shumë ndihmë ushtarake dhe ekonomike nga partnerët ndërkombëtarë në përballje me agresionin rus./lajmi.net/