Tre të vrarët në Gllogjan, vëllai i viktimës Ledion Hamza: Ne si familje e dimë kush ta mori jetën, kërkojmë drejtësi nga shteti
Brikend Hamzaj, vëllai i Ledion Hamzës, njërit prej tre viktimave të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ka kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Përmes një postimi në Facebook, duke shprehur pakënaqësi ndaj heshtjes dhe mungesës së drejtësisë, ai ka thënë se familja e di mirë se kush qëndron pas vrasjes së vëllait të tij.
“Ti pusho në paqe, vëllau im. Vallja jote nuk ka mbaruar. Ne, si familje, e dimë shumë mirë se kush ta ndali vallen. E dimë të vërtetën dhe e dimë kush ta mori jetën“, shkroi Hamzaj.
Ai shprehu qëndrimin se familja e ka mbajtur fjalën e dhënë dhe tani presin që institucionet e drejtësisë të ndëshkojnë përgjegjësit.
“Ne, si familje, i kemi dhënë fjalën shtetit të Kosovës se do të presim deri në fund, deri sa të rrahet çekiçi i fundit i drejtësisë. Kemi duruar, kemi pritur dhe kemi respektuar ligjin, edhe pse dhimbja jonë nuk ka pushuar asnjë ditë. Ne fjalën tonë e kemi mbajtur. Tani është radha e shtetit ta mbajë fjalën e vet. Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë që e vërteta të dalë në dritë dhe ata që janë përgjegjës të marrin dënimin që meritojnë, sipas ligjit.”, shkroi Brikend Hamzaj.
Lexo edheHaradinaj: Veç Aleanca është opozitë – PDK e LDK po flirtojnë me Kurtin me i marrë në qeveri
Gjykata Themelore në Pejë më 23 tetori të këtij viti shpalli të pafajshëm tre anëtarë të familjes, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, të cilët u gjykuan pesë vjet lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Gjykimi lidhej me ngjarjen tragjike të 26 nëntorit 2021, kur një autobus që po udhëtonte në Gllogjan u qëllua me armë zjarri dhe nga të shtënat u vranë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënës Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj.







