Tragjedia e paimagjinueshme e Dienës!

Vetëm 30 vjeçe, Diena Karanxhaj-Meçaj iu bashkua shumë shpejt bashkëshortit që u nda nga jeta pesë vite më parë.
Ajo dhe vogëlushja e saj, Esiela 8-vjeçare, nuk arritën t’u mbijetonin lëndimeve të marra nën rrënojat e pallatit me gjashtë kate në Durrës, të shembur nga tërmeti.
I vetmi që u nxorr gjallë është i ati i Dienës, pasi edhe nëna e saj ndërroi jetë.
Nisur nga Instagrami, historia e Dienës është e paimagjinueshme, e jashtëzakonshme dhe e tmerrshme njëkohësisht.
Dorian Karanxhaj mbaroi Akademinë e Arteve të bukura në Romë dhe konsiderohej një prej piktorëve më premtues, por humbi jetën në moshën 37-vjeçare si pasojë e atakut të miokardit. Pavarësisht trishtimit që la pas humbja e bashkëshortit, ajo ja doli të vazhdonte ëndrrën e tij për pikturën.
Pas vdekjes, Diena kuroi një ekspozitë për të përkujtuar artin e tij.
Si një mënyrë për të pasur ndoshta një lidhje me të atin e ndjerë, Diena u kujdes që vogëlushja Esiela të ishte në kontakt me pikturën, ëndrrën e tij të lënë përgjysmë.
Lexo edhePamje të rënda, i riu kërkon një cigare nën rrënoja dhe mbyll sytë përjetë
Një grua me pasione të shumta, që adhuronte muzikën, pikturën dhe çdo formë të artit në përgjithësi, Diena vendosi të mos dorëzohej. Dashurinë e saj për të bukurën ajo e materializoi duke hapur një dyqan me bizhuteri. Por ja që fati e deshi që ëndrrat për veten, për vajzën, për prindërit të ndërpriteshin tragjikisht.
Sot, Diena u gjet me një fije shpresë për jetën, ndonëse pranë saj Esiela kishte ndërruar jetë.
Ajo iu bashkua të bijës vetëm pak çaste pasi u nxorr nga rrënojat. Një histori e pabesueshme deri në dhimbje sa fjalët janë të pakta për ta përshkruar.
E vetmja gjë që ngelet në të tilla momente është besimi se ndoshta janë të tre bashkë…ndoshta ka një vend për shpirtrat që janë bërë për njëri-tjetrin.



















