BallinaJetëGatimeTortë me krem pastiçerie me aromë livande

Tortë me krem pastiçerie me aromë livande

Baza e kësaj torte është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur edhe nga ato zonja që nuk kanë gatuar shumë, prandaj, mbajeni shënim për të realizuar torta me krem etj. Torta në vetvete është e butë dhe nuk ka nevojë të laget përpara se të mbushet me krem. Pa krem është shumë e mirë për mëngjes dhe mbetet e butë për disa ditë. Ju, nëse doni, mund të përgatitni një ditë më parë bazën e tortës dhe kremin e pastiçerisë: mbështilleni bazën me letër alumini kur të jetë ftohur plotësisht dhe të nesërmen është ende e butë. Kremin e pastiçerisë ruajeni në frigorifer, të mbuluar me qese kuzhine.

Përbërësit për tavë me diametër 26 cm, nëse e doni tortën me dy shtresa ose me diametër 24 cm, nëse doni tortë me tre shtresa:
3 vezë në temperaturë ambienti
1 gotë plastike kos (125 g)
2 gota plastike sheqer
3 gota plastike miell
1 bustinë sodë për ëmbëlsira
1/2 gotë plastike vaj luledielli
1/2 gotë plastike qumësht
një majë thike kripe

Përgatitja:
Ndezim furrën në 180 gradë.
1. Përziejmë vezët me sheqerin me rrahësin elektrik (ose në robot) për 5 minuta, derisa të bëhen si shkumë. Shtojmë kosin, vajin dhe qumështin duke vazhduar akoma përzierjen me rrahësin elektrik. Shtojmë miellin dhe sodën me sitë, pa ndërprerë përzierjen.
2. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e miell dhe e pjekim për 40/45 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër.
Kur baza të jetë pjekur, e lëmë 10 minuta në tavë dhe më pas e heqim nga tava dhe e lëmë të ftohet plotësisht mbi një grilë (përdorni atë të sobës ku mbështetet tava, nëse nuk keni grilë të posaçme për të vënë sipër tortat për t’u ftohur).

Përbërësit për kremin e pastiçerisë:
500 ml qumësht
4 të verdha veze
150 g sheqer
50 g miell
1 lugë gjelle lule livande, jo të mbushur shumë ose lëkurë limoni organik të grirë, ose një bustinë vanilje
500 ml pana e ftohtë, nga frigoriferi
boronica ose fruta të tjera. Mund të përdorni edhe komposto frutash, por më parë do t’i thani me letër frutat nga shurupi dhe t’i ndani në copa të vogla

Përgatitja e kremit të pastiçerisë:
1. Vëmë qumështin në zjarr dhe kur të marrë valë, e heqim nga zjarri, hedhim lulet e livandës, i vëmë kapakun tenxheres dhe e lëmë të vaket. Më pas, e kullojmë me sitë për t’i hequr lulet e livandës (nëse nuk do të përdorni lulet e livandës, anashkalojeni këtë veprim).
2. Pasi të kemi kulluar lulet e livandës, vëmë qumështin në zjarr dhe kur të marrë valë, hedhim një garuzhde qumësht te tasi ku kemi përzier më parë me pirun të verdhat e vezëve me sheqerin dhe miellin. I përziejmë me rrahësin e vezëve me dorë dhe shtojmë të gjithë qumështin në tas, e përziejmë akoma dhe më pas e hedhim të gjithë përzierjen në tenxheren ku kishim valuar qumështin.
3. E vëmë tenxheren në flakë të ulët, duke e përzier pa ndërprerje me rrahësin me dorë. Do të na duhen 20 sekonda që të marrë valë. Kjo bën që kremi të trashet, por të ketë shije delikate meqenëse mielli piqet pak fare në zjarr. E lëmë të valojë edhe për 20 sekonda të tjera, pa ndaluar përzierjen, e heqim, vëmë qese kuzhine në kontakt direkt me kremin dhe e lëmë të ftohet plotësisht.
4. Kur kremi të jetë ftohur plotësisht, bëjmë marengë me panën dhe e përziejmë me kujdes gjysmën e saj me kremin e pastiçerisë.
Kur torta të jetë ftohur, e ndajmë në dy shtresa, hedhim një shtresë kremi, disa kokrra boronicë, vëmë shtresën tjetër të tortës, pak krem dhe së fundmi panën që kishim lënë mënjanë dhe disa kokrra boronice.
Meqenëse torta ka pana, në kohë me temperaturë të lartë është mirë të ruhet në frigorifer.