Manjola, pedagogia, na ka zbuluar parajsën e saj në një shtëpi fshati, jo vetëm prej mënyrës se si ka ardeuar shtëpinë, por edhe prej ëmbëlsirave të shijshme që ka gatuar për Living.
Fotografia Armand Habazaj
Përbërësit e tortës:
Për pandispanjën:
200gr miell ● 200gr sheqer ● 200gr gjalpë (temperaturë ambienti prej së paku 2 orësh) ● 80gr kakao ● 6 vezë (temperaturë ambienti prej së paku 2 orësh) ● ½ bustinë maja për ëmbëlsira
Për kremin: 1 kavanoz çokokrem me shije lajthie ● 150ml pana (temperaturë frigoriferi)
Për ganashenë e çokollatës: ● 100gr çokollatë e zezë ● 100ml pana ● pak xhel transparent pastiçerie
Udhëzime:
Për pandispanjën, me anë të një mikseri ose teli dore rrihen gjalpi me sheqerin. Më pas shtohen vezët një e nga një. Me anë të një site shtohen mielli, kakaoja dhe majaja për ëmbëlsira. Përzihen të gjitha ngadalë dhe masa e përftuar hidhet në një tepsi të lyer paraprakisht me gjalpë dhe spërkatur me miell. Piqet në temperaturën 165° për rreth 40 minuta. Për kremin e lajthisë, çokokremi në temperaturë ambient vendoset në një tas. Rrihet pana dhe dalëngadalë me anë të një spatule, ajo përzihet me çokokremin. Kur pandispanja të jetë ftohur plotësisht, ndahet në dy apo tre shtresa. Mbi shtresën e parë (sipas dëshirës mund të spërkatet pak me sherbet të aromatizuar me copa luleshtrydhesh ose me ndonjë liker) vendoset më pak se 1/3 e kremit të lajthisë. Sipër kremit mund të hidhen dhe luleshtrydhe të copëtuara dhe po kështu të vazhdohet edhe me shtresën e dytë. Pasi vendoset dhe e treta, e gjithë torta maskohet anash me kremin e tepruar. Vendoset në frigorifer dhe në këtë kohë përgatitet ganasha. Në një tenxhere vendosen së bashku pana dhe çokollata dhe përzihen derisa të jetë përftuar një masë homogjene. Lihet të pushojë për 10-15 minuta, i shtohet dhe xheli dhe më tej hidhet mbi tortën e ftohtë. Dekorojmë me luleshtrydhe sipas fantazisë.