Të enjten mbahet seanca e radhës plenare e Kuvendit, ky është rendi i ditës
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë nesër, të enjten, më 12 nëntor 2026, seancë plenare. Seanca do të fillojë në orën 10:00, në Sallën e Seancave.
Në rendin e ditës janë paraparë dhjetë pika, përfshirë shqyrtimin e disa projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, si dhe Kosovës dhe Belgjikës në fushën e bashkëpunimit juridik dhe çështjeve penale, transmeton lajmi.net.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu Propozim-Programin e Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.
Një nga pikat e rëndësishme të seancës do të jetë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, në rendin e ditës është përfshirë edhe mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Lexo edheNë Veri zbulohen dy lokale ku organizohen lojëra te bixhozit, katër persona përfundojnë në Polici
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Rendi i ditës i seancës plenare:
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
- Deklarimet jashtë rendit të ditës;
- Pyetjet parlamentare;
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-024 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Suedisë për Ekstradim;
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Kosovës dhe Suedisë;
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-026 për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Suedisë;
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-027 për ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës;
- Propozim-Programi i Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026;
- Interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia;
- Mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë./lajmi.net/





