Pas muajsh tensionesh të nënkuptuara, përplasja mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka dalë sërish hapur në skenën publike. Akuza, aludime dhe deklarata që hedhin hije mbi marrëdhënien personale dhe politike mes dy figurave kryesore të PL-së, kanë ndezur debatin mediatik dhe kanë thelluar dyshimet për një ndarje jo vetëm bashkëshortore, por edhe strategjike në skenën opozitare.
Monika Kryemadhi ka dalë sot nga ambientet e SPAK ku ajo u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa u ndal për të dhënë një deklaratë për mediat.
E pyetur në lidhje me ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli prej muajit tetor, Kryemadhi tha se ish-Presidenti informohet “vetëm për gjërat që i intereson grupit të njerëzve rreth tij”.
Ajo shtoi se nuk i “intereson më fare se çfarë mendon, thotë apo bën Meta”, ndërsa vijoi duke thënë se është e qetë në ndërgjegjen e saj për çdo veprim.
“Meta informohet për gjërat që u intereson grupi i tij i afërt sepse ai është në izolim. Nuk më intereson më fare të jem e sinqertë, se cfarë mendon zoti Meta e cfarë thotë e bën zoti Meta. Jam shumë e qetë në ndërgjegjen time për gjërat që kam bërë, bëj dhe do të bëj. Nëse kam bërë diçka që për juve është gabim e për mua nuk është, hajde ta diskutojmë”, u shpreh ajo.
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i kyçur në qeli nga SPAK-u, i është përgjigjur ashpër deklaratave të Monika Kryemadhit nga Prokuroria e Posaçme, duke e quajtur atë “Zeqine e SPAK-ut”.
Meta tha se për hir të fëmijëve kishte vendosur të mos merrej më me Kryemadhin, por se sipas tij, “ajo po përdoret për interesa të caktuara”. Ai mohoi çdo akuzë për përfshirje në çështje penale dhe akuzoi SPAK për manipulim dhe izolim politik. Meta theksoi se nuk beson në vërtetësinë e pretendimeve për kartat bankare, duke i cilësuar si mashtrime për të justifikuar hetimet ndaj tij.
Postimi i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
𝐍𝐣𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐣𝐢𝐠𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 “𝐙𝐞𝐪𝐢𝐧𝐞𝐧𝐞̈” 𝐞 𝐒𝐏𝐀𝐊-𝐮𝐭.
Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të.
Por kur të komandon halli bëhesh “Zeqine” e SPAK-ut.
Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta banakre të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni.
Ilir Meta dhe Tedi Blushi iu janë përgjigjur këtyre shpifjeve monstruese që filluan me rrëmbimin tim monstruoz, me hetimin monstruoz dhe me izolimin tejet monstruoz, që nuk ka lidhje me asnjë fakt dhe provë penale për Ilir Metën.
Përkundrazi. faktet dhe provat janë fshehur deri tani për të mbuluar personat që kanë shkelur ligjet apo që kanë patur dijeni për shkeljet e ligjeve apo që janë vërtetuar si dëshmitarë të rremë, që dihet publikisht që ishin në listat e kandidatëve për deputet të “Rilindjes” dhe kanë punuar për “Rilindjen” me material shtrëngues.
Sigurisht edhe unë nuk dua t’i besoj, që ato që ka shkruar Altin Dumani për kartat e saj bankare dhe të Adrian Shatkut janë të vërteta, por ata i shkruajnë për të justifikuar izolimin kriminal të Ilir Metës si lider i Partisë së Lirisë.
Se po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje “Zeqinesë” të shkonte të SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ia ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh.