Thaçi kërkon nga Shqipëria t’u lëshojë pasaporta qytetarëve të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta që shteti shqiptar t’u lëshojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që sipas tij, i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.
“Bashkimi Evropian e ka sjell në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave. E vetmja shpresë në këtë moment për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm, ka mbetur dhe i kërkova presidentit Meta dhe autoritete e tjera të Shqipërisë, që në përputhshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet dhe në përputhshmëro me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, tu jepet nënshtetësia qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Prishtinë.
Presidenti Meta është pritur në Prishtinë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me ceremoni shtetërore.
Presidenti Thaçi i ka ndarë homologut të tij nga Shqipëria çmimin, “Urdhri i Pavarësisë”, për meritat dhe angazhimet e Presidentit Meta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Por, një shqetësim që ka ngritur me këtë rast, Thaçi kishte të bënte me izolimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak të lënien anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
Ai tha se ka shumë studentë, punëtorë e qytetarë të Kosovës që për shkak të izolimit, nuk mund të shkojnë në vendet evropiane.
“Shqetësimi im është se jemi tërësisht të izoluar dhe pa perspektivë në familjen euro-atlantike. Është nevojë imediate aktuale që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi shqiptare që të lëvizin lirshme në Evropë”, ka thënë Thaçi.
Lexo edheFranca do të vazhdojë të mbështes Kosovën në fushën e sundimit të ligjit
Ndërkohë, presidenti Ilir Meta tha se ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, ngase ka shumë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të marrin nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për t’i shpëtuar bllokadës në të cilën ai tha se padrejtësisht janë vënë.
“Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi, për të mos thënë këtij diskriminimi që u është vënë qytetarëve të Kosovës dhe ka sjellë këtu një frustrim për shkak të faktit se janë të vetmit qytetar në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzojnë këtë mundësi”, ka thënë Meta.
Ai tha se e konsideron të padrejtë kushtëzimin që i është vënë Kosovës me ratifikimin e Demarkacionit dhe liberalizimit të vizave.
“Unë besoj se vendimi është i padrejtë për të kushtëzuar liberalizmin e vizave më çështjen e Demarkacionit. Është e domosdoshme që me shumë mençuri të zgjidhet dhe të kalohet çështja e Demarkacionit, pasi që kjo është mjaft e rëndësishme, jo vetëm liberalizimin e vizave po për gjithë perspektiven dhe evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës“, tha presidenti Meta.
Presidenti Meta është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pastaj me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Vizita e parë shtetërore e Presidentit të Shqipërisë në Kosovë përmban edhe takimin me krerët e partive parlamentare si dhe homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari”, në Prekaz-Skënderaj. /rel/














