Ish-presidenti Hashim Thaçi, i ka dërguar një mesazh moderatorit të emisionit “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Fidan Jupollit.
Këtë e bëri të ditur vetë gazetari në nisje të emisionit të tij, duke potencuar se mesazhin ia ka përcjellë një mik i tij i cili “sapo doli nga takimi i vizitës në Hagë me Presidentin Thaçi, ma dërgoi një mesazh nga Presidenti”.
“Përkrahjen e tij, fjalët më të mira të tij. U emocionova! U emocionova jo për diçka, sepse me zotëri Thaçin kemi pasur polemika politike goxha shumë, por kurrë nuk kam harru që ata janë heronjtë e mi. Politikisht servilin prej tyre i kam kritikuar, sepse natyra e emisionit tim është e tillë. U emocionova dhe më dolën lotët, sepse secili prej nesh kemi pasur familjarë të burgosur në kohën e Jugosllavisë, të Serbisë, të Krajlit, të Rankoviqit, të Sllobës… mundësia e një letre ka qenë e mundur, te kjo Gjykatë nuk është e mundur. U preka e u emocionova për shkak të këtij mesazhi. U preka e u emocionova për të kaluarën. U preka e u emocionova edhe për të tashmen. U preka e u emocionova njëherit për jomirënjohjen tonë si shoqëri ndaj këtyre njerëzve. U preka e u emocionova në 2026, djemtë kur i kanë pasur nga 18 vjet i kanë dalë përballë një makinerie qysh ka qenë Jugosllavia, pas luftës, sakrificës, shokëve të vrarë, betejave të fituara, padrejtësisht mbahen nga një gjykatë e padrejtë politike jashtë vendit”.














