Bayer Leverkuseni e ka shkarkuar trajnerin Erik Ten Hag pas vetëm dy ndeshjeve të zhvilluara.
Në dy ndeshjet e para në Bundesligë, Leverkuseni kishte epërsi në përballjet e saj, por në të dy rastet e lëshoi fitoren nga duart.
Lidhur me këtë shkarkim është deklaruar edhe vet trajneri holandez, i cili vlerëson se një udhëheqës i ekipit meriton kohë dhe besim, shkruan IndeksOnline.
“Një trajner meriton kohë dhe besim për të ndërtuar një projekt të ri, për të krijuar stilin e tij dhe për të lënë gjurmën e tij.
Këtë verë, lojtarë kyç që kishin kontribuar në sukseset e kaluara u larguan. Menaxhmenti nuk më dha as kohën dhe as besimin që më duhej, dhe ndjeva se marrëdhënia nuk ishte e bazuar në besim të vërtetë të ndërsjellë” deklaroi ai.
Megjithatë, Ten Hag nuk u tregua mosmirënjohës, ndonëse shkarkimi i tij ishte tejet poshtërues.
“I falënderoj mbështetësit tanë për ngrohtësinë dhe pasionin e tyre. I uroj ekipit dhe stafit të trajnerëve gjithë të mirat për pjesën tjetër të sezonit” shtoi ai.
Nga ana tjetër, nuk është se e ka lënë keq financiarisht ky shkarkim.
Sipas SPORT BILD, një klauzolë ishte përfshirë në kontratën e lidhur mes ekipit dhe trajnerit. Ten Hag do t’i kushtojë Bayerit 100.000 euro në ditë.
Pagesa e kompensimit për Ten Hagun, kontrata e të cilit skadon në vitin 2027, është e përcaktuar në kontratë.
Ai do të marrë pak më pak se pesë milionë euro pas ndërprerjes së shpejtë të kontratës./IndeksOnline/