Të paktën 2 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pas disa të shtënave me armë zjarri që ndodhi në një park pranë një shkolle në Karolinën e Veriut në SHBA.
Siç raportohet nga wbtv.com, të shtënat ndodhën në orën 10:00 të mëngjesit pranë Shkollës së Mesme Jefferson në Winston-Salem, Karolina e Veriut, por incidenti nuk ndodhi brenda territorit të shkollës.
Sipas autoriteteve, shkolla u vu përkohësisht në “mbyllje sigurie” gjatë orëve të mëngjesit të së njëjtës ditë, një masë që u hoq më vonë pasi u vlerësua se nuk kishte rrezik të mëtejshëm për nxënësit dhe stafin.
Policia tha se incidenti filloi si një përleshje e planifikuar midis “dy të rinjve”. Megjithatë, gjatë konfrontimit, situata u përshkallëzua dhe disa persona qëlluan me njëri-tjetrin.
Të shtënat rezultuan në “viktima të shumta”, tha policia, pa dhënë menjëherë një numër të saktë të të lënduarve. Rreth dy orë pasi incidenti u raportua për herë të parë, Byroja Shtetërore e Hetimeve (SBI) konfirmoi se dy persona kishin vdekur dhe “disa” të tjerë ishin qëlluar dhe plagosur.
Hetimet për rrethanat e incidentit të përgjakshëm vijojnë, teksa autoritetet po shqyrtojnë shkaqet që çuan në përshkallëzimin e armatosur të përplasjes, si dhe identitetin e personave të përfshirë.