Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri (nr. 110), ka deklaruar se bizneset vendore kanë nevojë për politika të drejta dhe mbështetje reale nga shteti, gjatë një vizite që ka zhvilluar sot në kompaninë Mardesign.
Tahiri theksoi se Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Bedri Hamza, do të ndërmarrë masa konkrete për lehtësimin e barrës financiare ndaj familjeve dhe bizneseve.
“Një nga vendimet e para të Qeverisë Hamza do të jetë shfuqizimi i ligjit për tatimin e shtuar në pronë, i cili rrezikon të kthehet në barrë të rëndë për familjet dhe bizneset. Paralelisht, do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për fatura më të ulëta dhe jetë më të lehtë për qytetarët,” ka deklaruar Tahiri.
Ai shtoi se Qeveria Hamza do të ketë një qasje partneriteti me sektorin privat, duke e konsideruar atë shtyllë të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Qeveria Hamza do të jetë aleate e sektorit privat dhe nxitëse e investimeve përmes granteve dhe politikave mbështetëse për zhvillim dhe rritje ekonomike. Sepse vetëm bashkë mund të ecim përpara, drejt mirëqenies për të gjithë,” u shpreh Tahiri.
Sipas tij, vizita në Mardesign është dëshmi e potencialit që kanë bizneset vendore për të krijuar vende pune dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, nëse mbështeten me politika të drejta shtetërore.

