Nga sot qytetarët e Vushtrrisë nuk do të paguajnë shpenzimet për ceremoninë e varrimit në territorin e Komunës së Vushtrrisë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, sot ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi në mes të Komunës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e Vushtrrisë.
Në këtë ceremoni ka marr pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërrnava dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri, Shemsi Rrahimi, i cili e nënshkroi marrëveshjen në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri.
Me këtë marrëveshje komuna merr përsipër të gjitha shpenzimet e varrimit për qytetarët në territorin e Komunës së Vushtrrisë.
Kjo marrëveshje është e bazuar në vendimin e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë të datës 29 qershor të vitit të kaluar.