Spiropali: Kërkesa e studentëve në Shkup për gjuhën shqipe, e garantuar nga Kushtetuta

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali përgëzoi sot studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një postim në rrjetet sociale, Elisa Spiropali tha se dialogu mbetet rruga e më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike.
“Përgëzoj studentët për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi”, shkruan Spiropali.
Ministrja Spiropali shprehu vlerësimin për gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht kryeministrit Mickoski dhe zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.

Lexo edheDhunimi i avokatit Cakrani, reagon Meta: 2 banditët duhet të vendosen para ligjit sa më shpejt
“Dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike”, tha Spiropali.
Në Maqedoninë e Veriut 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike: ai i Universitetit të Tetovës, i Universitetit të Evropës Juglindore dhe i Universitetit “Nënë Tereza” kanë dorëzuar një peticion ku kërkojnë që ky provim të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas maqedonishtes. Ata thonë se kjo u takon me ligj, pasi studimet i kryejnë në shqip dhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend.














