Monday, July 21, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditSot tentimi i 50-të për ta bërë Kuvendin

Sot tentimi i 50-të për ta bërë Kuvendin

Të ngjajshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, më 21 korrik, në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ky është tentimi i 50-të që prej pesëmbëdhjetë prillit kur ka nisur seanca konstituive. Vazhdimi i seancës do të mbahet prej orës 11:00.

Të shtunën, më 19 korrik, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një takim – në përpjekje për dalje nga kriza. Megjithatë, nga ai takim nuk dolën me ndonjë marrëveshje që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja.

Këto zhvillime vijnë kur po afrohet 26 korriku – afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituim të legjislaturës së nëntë.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt por ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun.

Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo, dhe kandidatura e Haxhiut, po kundërshtohen nga partitë e tjera parlamentare.

Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime bashkë, dhe të ndara, me përfaqësues të partive politike – në përpjekje të zgjidhjes së krizës. Por, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.

Thirrje për formim të institucioneve të reja kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

- Advertisement -

Të Fundit