back to top
Monday, March 9, 2026
BallinaSportSneijder flet për derbin Inter – Milan, përmend një histori interesante me...

Sneijder flet për derbin Inter – Milan, përmend një histori interesante me Mourinhon të 2009-ës

Të ngjajshme

Wesley Sneijder pranon se u habit kur José Mourinho e startoi kundër Milanit në vitin 2009, vetëm disa orë pasi ishte transferuar nga Real Madridi, dhe shikon Piotr Zielinskin si “lojtarin kyç” të Interit për sezonin 2025-26.

Ish-ylli i Interit komentoi për “Derby della Madonnina” gjatë një interviste për “Gazzetta dello Sport”:

“Para së gjithash, ky nuk është thjesht një derbi, është DERBI,” tha Sneijder.

“Në ‘San Siro’ ndien peshën e historisë. Kam luajtur Real Madrid – Barcelona, një klasiko globale që përfshin qytete të ndryshme, dhe Galatasaray – Fenerbahçe që çmend Stambollin, por fakti që ekipe të mëdha si Milani dhe Interi ndajnë të njëjtin stadium është gjithmonë… wow! Dhe këtë sezon, derbi mund të vendosë Scudetton që do të jetë plotësisht i merituar. Nuk është si para dy vitesh kur Nerazzurri festuan matematikisht titullin në shtëpinë e Milan, por nëse Cristian shkon në +13, kush mund të mendojë ta kapë?”, tha ai fillimisht.

Interi është lider i tabelës së Serie A me një avantazh prej 10 pikësh ndaj rivalëve të qytetit, që janë të dytët dhe kanë humbur vetëm dy herë këtë sezon.

“Milani është një ekip i zgjuar. Ata kanë karakterin e trajnerit të tyre,” vazhdoi Sneijder.

“E dinë si të ulen, të presin dhe të të ndëshkojnë. Kanë mesfushorë si Adrien Rabiot, por Inter është më i mirë në posedim. Hakan Çalhanoğlu është rikthyer tani, por lojtari kyç këtë sezon është Piotr Zielinski. Sezonin e kaluar pyesja veten: ‘pse nuk luan?’ Tani topi gjithmonë kalon tek ai”, vazhdoi ai.

Nga ana tjetër, legjenda e Milanit, Andriy Shevchenko, tha se “Rossonerët” do të rihapnin garën për titull nëse mundnin “Nerazzurrit” këtë mbrëmje.

Sneijder është një legjendë e vërtetë e Interit, pjesë e ekipit që fitoi tripletën nën Mourinhon në sezonin 2009-10.

Kur holandezi mbërriti në “San Siro”, e nisi menjëherë në një derbi kundër Milanit.

“Pak çaste pasi zbrita nga avioni në fund të gushtit 2009, José më tha: ‘Do të luash kundër Milan.’ Sa të tjerë do ta bënin këtë? Mbaroi 4-0 për ne. Ndjehej sikur kisha njohur Militon dhe Eto’on gjithë jetën,” tha Sneijder.

“Pas ndeshjes, kuptova se Mourinho ishte serioz kur tha se gjëja e vetme që i mungonte për të fituar gjithçka ishte një numër 10. Nuk e tha vetëm për të më bindur. Ai thjesht pa të ardhmen”, shtoi ai.

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, gjithashtu ishte pjesë e atij ekipi legjendar dhe Sneijder sheh një ngjashmëri midis ish-shokut të tij të skuadrës dhe ish-trajnerit Mourinho.

“Përpjekjet për krahasime nuk kanë kuptim dhe janë të rrezikshme. Por si José, Cristian thotë atë që mendon pa nevojën për të kënaqur të gjithëve dhe ndjek rrugën e tij,” tha ai.

“Chivu duhet të mbrojë Interin nga gjithçka dhe nga të gjithë. Shikoni rastin e Alessandro Bastoni, kaq shumë polemika të kota. Më herët apo më vonë, njerëzit do të lodhen nga sharjet; por më pëlqen më shumë reagimi i lojtarit. Kritika thjesht i rrëshqet. Kështu duhet të jetë”, e mbylli ai./GazetaExpress/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz