S’kalon rezoluta lidhur me vendimin e ZRrE’së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Me 20 vota për, 42 kundër dhe një abstenim, nuk ka kaluar rezoluta e propozuar për vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Para kësaj pike, në rend të ditës ka qenë edhe votimi i propozim-rezolutës lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar se pas vendosjes për tarifat e reja të energjisë elektrike, nuk ka kuptim rezoluta që kishin propozuar.
Ai ka tërhequr rezolutën për mos shtrenjtimin e rrymës, duke kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“Në këtë rezolutë kërkohet që të mos ndodhë shtrenjtimi i energjisë elektrike, tashmë kjo nuk ka kuptim që të vendoset në votim. Sepse shtrenjtimi i energjisë elektrike veçse ka ndodhur. Ndërsa, vazhdojmë te rezoluta tjetër e cila kërkon që ky vendim i ZRrE-së të anulohet. Pra, pikën e parë, rezolutën e parë të kësaj seance e tërheqim dhe vazhdojmë me rezolutën tjetër ku flasim për vendimin e ZRrE-së”, tha ai.

Lexo edheProkuroria jep detaje për rastin Brezovica: Bastisjet kanë ndodhur në Skenderaj dhe në tri qytete tjera
Në pajtim me grupet parlamentare, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kanë vendosur që të shtyhen tri pika të rendit të ditës për seancat e ardhshme. Këto pika janë votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.














