Drejtori i Sistemit të Informimit Shëndetësor, Zenel Hisenaj, ka thënë se ky sistem do të funksionalizohet në nivel vendi për dy vjet.
Ai ka thënë se deri tash në fazën e pilotimit kanë arritur të gjejnë gabimet eventuale, të cilat ka shtuar se do të evitohen me rastin e funksionalizimit të plotë.
Për Express Intervistën, ai ka thënë se me strategjinë e përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë, SISH dhe Fondi i sigurimeve shëndetësore do të implementohen paralelisht, dhe nuk ka nevojë për funksionimin e SISH-it, që të funksionalizohet Fondi i sigurimeve shëndetësore.
“Në bazë të planit që kemi bërë me MSH-në për dy vjet planifikohet të jenë të implementuara edhe sistemi i SISH-it edhe ai i Sigurimeve, paralelisht”, ka thënë ai duke shtuar se është bërë një draft-koncept që të funksionalizohet SISH-i.
Sipas Hisenajt, mosfunksionalizimi efikas i Sistemit të Informimit Shëndetësor nga viti 2013 e deri tash është bërë për shkak se në fillim akterët nuk kanë qenë të përgatitur mirë.
“S’ka pas sistem funksional më herët dhe kur ka filluar më 2013, nuk kanë qenë mirë të përgatitur të gjithë akterët për këtë proces. I kemi gjetur të gjitha të metat e projektit dhe kemi bërë strategji që për 2 vjet të jetë sistemi funksional në të gjithë Kosovën, sepse deri tash në pilotim ka qenë detyra që të gjejmë gabimet eventuale”, ka thënë ai.
Hisenaj ka thënë po ashtu se nuk kanë vënë re amortizim te pajisjet e përdorura në periudhën e pilotimit.
“Te doktorët është vetëm ajo që shohin pacientët një kompjuter, por të dhënat regjistrohen në bazën qendrore. Nuk është vënë re amortizim. Ju ka kaluar garancioni, por s’jemi në fazën që janë në fund të funksionimit”, ka shtuar Hisenaj.