“Si u krijua Përbindëshi” – E vërteta që ndodhi gjatë luftës duhet të zbardhet sa më parë

Shkruan: Blerim Shala
Ofshamë dëshpërimi. Tundje koke. Pështymë mllefi. Heshtje varri. Sharje kumbuese. Klithma të pakontrolluara. Frustrim vetë gërryes. Zhgënjim tmerrues. Mallkim fati.
Dhe fjalë. Shumë fjalë.
Dhe pafuqi. Shumë pafuqi.
Dhe shpresë që megjithatë, beteja gjyqësore nuk ka marrë vend, apo që në Apel (në Shkallën e dytë), gjithçka mund të kthehet mbarë.
Këto të gjitha së bashku bëjnë atë tërësinë e reagimeve tona, gjithsesi emocionale, pashmangshëm emocionale, pas shpalljes së Aktgjykimit në Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Katërshja e UÇK-së mori gjithsej 81 vit burg.
Ishte kjo një ditë shumë e rëndë për Kosovën, për të gjithë ne.
Në javët e kaluara, këtupari lëshoi rrënjë bindja që te të katërtit do të lirohen me 16 shtator dhe do të kthehen në shtëpi, në Kosovë, prej ku janë larguar tash e gati gjashtë vjet më parë.
Nisi edhe numërimi mbrapsht i ditëve, i orëve, minutave.
Ishte koha e mbetur deri në lirinë e tyre. Tash doli që është zaptuar një kohë e tërë, prej shumë vitesh dhe dekadash, që këta do të duhet të kalojnë në burg. Natyrisht, nëse nuk ndodhë kthesa aq shumë e dëshiruar në Gjykatën e Apelit.
S’do mend që Kosova është tronditur dje. S’ka dyshim që pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë tek do t’i kuptojmë në periudhën e ardhshme. Po ashtu, kjo çka ndodhi në Hagë, në një Gjykatë që është krijuar duke sakrifikuar një segment shumë të rëndësishëm të sovranitetit tonë, me ato ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës në vitin 2015 të bëra nga Kuvendi i Kosovës, do të lë gjurmë të dyshimit në raportin tonë, si Kosovë, me Perëndimin, dhe do ta largojë edhe më shumë mundësinë që në një të ardhme afatmesme, të arrihet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pushteti në Serbi, cilido qoftë ai dhe pa marrë parasysh çka do të flasin politikanët dhe diplomatët perëndimorë, (në mohim të këtij konstatimi të pritshëm të Beogradit), do ta shfrytëzojë maksimalisht këtë Verdikt të Dhomave të Specializuara, për ta shpërndarë në të katër anët e Botës rrëfimin e saj që liderët e UÇK-së janë dënuar si kriminel lufte, që lufta e UÇK-së ka qenë një ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale’, që pavarësinë e Kosovës e ka shpallur një kriminel lufte, dhe prandaj, e gjithë kjo historia e Kosovës është zhvilluar ashtu siç edhe ka shpjeguar Serbia tash e 27 vjet.

Lexo edhePse u dënua Hashimi
Pra, Serbia ka pas të drejtë e jo Kosova.
Prandaj, shteti i Kosovës duhet të zhbëhet.
Mund të flasim dhe të shkruajmë çka të duam, por Verdikti i 16 shtatorit në Hagë, i ofron një mbështetje të fuqishme këtij tregimi të Serbisë.
Kosova dhe as qytetarët e saj, nuk e kanë merituar një ditë të këtillë.
Në të vërtetë, Kosova dhe qytetarët e saj nuk është dashur kurrë të ballafaqohen me një situatë të kësisojt, kur prej vitit 2010 e tutje (prej Raportit të Dick Martyt), janë përballur me rrëfime të fabrikuara për trafikim organesh, pastaj me tregime të cilat synonin kriminalizimin e luftës së UÇK-së, të gjitha këto me qëllim të rrëzimit për toke të kallëzimit për çlirimin dhe pavarësimit të Kosovës.
Edhe atëherë, e tash, edhe më shumë (pas 16 shtatorit), del krejtësisht i pakuptimtë insistimi aq këmbëngulës perëndimor që Kosova, e cila vetëm tri vite më parë i kishte dhënë fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, (në shtatorin e vitit 2012), duhet të heq dorë nga një element tej mase kritik të sovranitetit, ashtu që në Hagë të vihen themelet e një Gjykate Speciale.
Këtu ishte EULEX-i, me të gjitha kompetencat ekzekutive (të cilat i ka mbajtur deri në vitin 2016), këtu, në vitet e Raportit të Dick Martyt, ishte edhe Pieter Feith, si Guvernator ndërkombëtar i Kosovës, i cili ka pasur kompetenca të pashoqe në vend, prandaj, ky ‘ushtrim i gjyqësisë’ ka mundur të bëhej dhe të kryhej qëmoti në Kosovë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë.
Tash ishte harruar gjithçka.
E vërteta për atë çfarë ndodhi në ato vite, duhet të zbardhet sa më parë.
Këtë ia kemi borxh njeri-tjetrit. Këtë na e kanë borxh ata që na detyruan ta krijojmë një Përbindësh gjyqësor në Hagë./Lajmi.net/














