E dimë, i papritur si lajm! Tom Hiddleston dhe Taylor Swift janë ndarë që në vitin 2016, por ca njerëz nuk harrojnë kurrë!
Aktori ishte i ftuar në një intervistë për radion britanike “Heart”, së bashku me Karen Gillan dhe foli për mënyrën se si e kalon kohën e lirë.
“Gjithmonë humbas te videot me momente sportive,” tha Tom, duke shtuar se ka gazetarë që shkruajnë aq bukur për sportin dhe se ai i lexon me kërshëri artikujt.
Në atë moment, moderatori Devin Griffin, e pa të arsyeshme që ta ndërpriste dhe të fliste për Taylor Swift dhe dëshirën e saj për të lexuar mbi recetat e gatimit, fakt që e përmendi në podkastin “New Heights”, i cili prezantohet nga Jason Kelce dhe i dashuri i saj, Travis.
“E sapo mësuam që Taylor Swift është një fanse e madhe e një blogu me receta bukësh,” tha ai me humor.
Përmendja e papritur e ish-it e bëri Tom-in të ngrinte, ndërsa Karen ndërroi bisedën.

Për ata që kanë harruar: Tom dhe Taylor u lidhën shkurt në vitin 2016, pasi u takuan e folën bashkë në Met Gala. Lidhja e tyre zgjati vetëm tre muaj dhe sipas Us Weekly, ishte Taylor ajo që kërkoi ndarjen.
“Ajo vendosi t’i jepte fund lidhjes,” tha asokohe një burim pranë ish-çiftit. Sipas tij, Tom u ndje i turpëruar që romanca u shua kaq shpejt.

“Ajo e dinte çfarë reagimesh sjellin shfaqjet e hapura të dashurisë, por Tom nuk i mori seriozisht shqetësimet e saj”, u shpreh burimi.
Kur Swift publikoi albumin e saj të gjashtë, “Reputation”, një vit pas ndarjes, fansat vunë re se ajo i bëri një referencë bluzës famëkeqe të Tom-it me mbishkrimin “I ?? T.S.” në videon e këngës “Look What You Made Me Do”.

Që nga ndarja, kontaktet mes tyre kanë qenë minimale, ndaj nuk është çudi që Tom mbeti pa fjalë kur u përmend Taylor. E po, na ka ndodhur të gjithëve. Njeri është edhe Tom.