BallinaLajmeSi e shpallën Kurti, Gërvalla e Maqedonci fundin e ekonomisë evropiane, dhe...

Si e shpallën Kurti, Gërvalla e Maqedonci fundin e ekonomisë evropiane, dhe lulëzimin e Kosovës

Albin Kurti, Donika Gërvalla e Ejup Maqedonci në paraqitje të ndryshme publike erdhën në përfundim se shtetet e Evropës po përjetojnë kriza të ndryshme politike e ekonomike, duke e pasqyruar Kosovën si një shtet ku ka zhvillim të jashtëzakonshëm.

Javët e fundit opinioni publik në Kosovë u përballë me deklarata të çuditshme që nuk përkojnë aspak me realitetin në terren.

“Gjermania në buzë të recesionit”, “kosovarët po kthehen nga diaspora”, “ne po ndërtojmë fabrikën e municioneve, të cilën Franca nuk e ka”, ishin disa nga deklaratat sureale të udhëheqësve shtetërore, të cilat shkaktuan jo pak huti e nga pak të qeshura në mesin e qytetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës së fushatës zgjedhore foli në disa raste për një krizë të thellë ekonomike në Gjermani, duke konkluduar se motori ekonomik i Bashkimit Evropian është në “buzë të recesionit”.

Marrë për bazë këtë situatë, Kurti, nuk ngurrojë të vlerësoi, se diaspora po kthehen në Kosovë për shkak të lulëzimit të vendit.

“Kosova po lulëzon, e fatkeqësisht Gjermania është buzë recesionit. Do të nisin të vijnë, e të kthehen gjithnjë e më shumë nga diaspora. Kur shkuan atje në vitet 90-ta ishte kohë e terrorit të Serbisë dhe aparteidit, iu jepej menjëherë azili, iu gjendej banesa, sepse Gjermania lulëzonte pas bashkimit dhe shndërrimit të saj në motor të industrisë evropiane”, thoshte Kurti.

Se Gjermania e Zvicra nuk janë si më parë, kishte konstatuar edhe ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare në një paraqitje televizive në kohë fushate tregonte se si po takon në aeroplan qytetarë nga diaspora, të cilët po kthehen në Kosovë, meqë kanë “konstatuar se jo gjithçka në Gjermani, Zvicër, Suedi e shtete tjera është kaq e lehtë sa duket nga distanca”.

“Është e vërtetë që Evropa Perëndimore është duke u përballur me vështirësi të mëdha ekonomike, është e vërtetë që Evropa Perëndimore është duke vuajtur nga një gjendje instabiliteti. Nuk jemi në vitin 1990 deri vitin 2000 ku pati në hov të jashtëzakonshëm Gjermania”.

Së fundmi në Forumin e Sigurisë së Halifaxit, i cili u mbajt në Tajvan, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Kosova ka nisur përgatitjet për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e municioneve të cilën Franca nuk e ka.

Pavarësisht se industria ushtarake franceze është një nga më të zhvilluarat dhe ka një kapacitet të konsiderueshëm në prodhimin e sistemeve të ndryshme të armëve dhe pajisjeve ushtarake, Maqedonci konsideroi si të gabuar mos ndërtimin e fabrikës në Evropë.

“Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për prodhimin e municionit, ndërsa Franca ende nuk e ka atë. Pra, tani, në këtë ambient, mos ndërtimi dhe mos investimi në mbrojtje ishte, mendoj, një vendim i gabuar nga Evropa”, deklaroi Maqedonci.

Por, sa përkojnë me realitetin këto deklarata?

Franca, renditet e katërta në botë për sa i përket fuqisë nukleare dhe është eksportuesja e dytë më e madhe e armatimit në botë, duke zënë vend menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë numri i emigrantëve në Gjermani ka shënuar rritje dyshifrore viteve të fundit. Nga qershori deri në nëntor të vitit të kaluar, autoritetet gjermane kanë lëshuar 25 mijë leje pune për qytetarë kryesisht nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi.

- Advertisement -