Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, disa media dhe kanale në rrjete sociale me përmbajtje proruse janë mbushur me mesazhe që e përshkruajnë Kosovën si vend të korruptuar, të dirigjuar nga Perëndimi dhe armiqësor ndaj serbëve.
Thuajse në të gjitha postimet ku përmendet Kosova, shtetësia e saj mohohet: emrit të saj i vihen thonjëzat, apo quhet “kuazi-shtet” e “shtet i ashtuquajtur”.
Në artikuj e shkrime të publikuara nga fillimi i dhjetorit, u jepet zë thirrjeve ndaj serbëve të Kosovës që si alternativë të vetme politike ta shohin Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në vend, me lidhje të dëshmuara me Beogradin.
Përveç mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe RT, tituj e postime në lidhje me Kosovën, dhe në veçanti me zgjedhjet e fundvitit, janë shpërndarë edhe në kanalet proruse në platformën sociale Telegram.
Sipas ekspertëve, shumë prej këtyre kanaleve shpërndajnë dhe zmadhojnë narrativët, duke ”ndikuar sidomos te elektorati serb në veri të Kosovës”.
Dezinformimi apo përmbajtja manipuluese, sipas tyre, bëhet edhe më e rrezikshme me përfshirjen e inteligjencës artificiale.
Çfarë u tha për Kosovën?
REL ka përcjellë dhe ka analizuar përmbajtjet në lidhje me Kosovën dhe me zgjedhjet në disa media ruse, si Sputnik e RT, por edhe në kanale pro-Kremlinit në Telegram, si “Balkanar” dhe “Për Serbinë në rusisht”.
Më 21 dhjetor 2025, kanali “Balkanar” publikoi një shkrim, ku thuhej se “nëse demokracia matet me numrin e kriminelëve në fletëvotime, atëherë sistemi politik i Kosovës shfaqet si lider evropian”.
Shkrimi i referohej një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), sipas të cilit 28 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në vepra penale.
Megjithatë, shkrimi nuk paraqiti ndonjë analizë krahasuese me shtetet e Evropës, por tha se raporti ka treguar “fytyrën e vërtetë të demokracisë më të re në Evropë”.
Një ditë më herët, më 20 dhjetor, i njëjti kanal shkroi se “Dialogu me serbët ka përfunduar – Çështja e Kosovës tani zgjidhet me buxhetin amerikan për mbrojtje”.
Shkrimi kritikoi administratën amerikane që ka kërkuar, në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar në dhjetor, zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, në shkurt të vitit 2023.
“Autoritetet amerikane po e transformojnë çështjen e sovranitetit të Serbisë nga një çështje negociatash, në një ligj të detyrueshëm për të gjithë politikën e jashtme amerikane”, u tha në postim.
Ndërkaq, më 19 dhjetor, një postim tjetër tha se “Në ‘Kosovë’, autoritetet treguan se marrëdhëniet me publikun janë më të rëndësishme për to sesa veprimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftimin e shkeljes së të drejtave të serbëve”, pa paraqitur ndonjë provë lidhur me këto pretendime.
Postimi iu referua hapjes së një ure të re për këmbësorë që lidh Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.
Kanali “Balkanar” është i lidhur me rrjetin e njohur propagandistik rus “Pravda”, i cili, veç tjerash, poston përmbajtje edhe në gjuhën shqipe.
Sipas një raporti të publikuar në qershor nga platforma e verifikimit të fakteve Hibrid.info, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë edhe për audiencën shqipfolëse, përmes faqeve të ndryshme në internet, “të maskuara si portale informative”.
Në një postim të datës 26 dhjetor, portali Pravda në gjuhën shqipe e quajti kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, “serbofob” i cili “bën mashtrime antiserbe”.
“Të gjitha 10 mandatet”: Fushata politike e Listës Serbe e shtyrë nga RT e Sputnik
Ndërkohë, në vijën editoriale të mediave ruse në gjuhën serbe dhe të mediave serbe pro-Kremlinit, Lista Serbe shfaqet si instrument i “unitetit” dhe si opsion i vetëm “i sigurt” për votën serbe.
Më 23 dhjetor 2025, RT publikoi shkrimin me titullin: “Gjuriq: Serbët duhet të votojnë… është e rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të gjitha 10 mandatet”.
E njëjta thirrje u pasqyrua edhe nga Sputnik, ndërsa në të njëjtin cikël raportimesh, kjo media shtetërore ruse publikoi edhe lajme për fushatën në terren të Listës Serbe.
Lexo edheTubimi përmbyllës i PDK-së – Hamza shpalos programin për rritje të pagave dhe ulje taksash: Ne nuk premtojmë mrekulli, por zgjidhje




















