Kryetari i Mitrovicës nga radhët e PDK-se, Bedri Hamza në këto zgjedhje garoi për shef qeverie, derisa jo pak homologë të tij po synojnë karrigen e deputetit.
Ardian Gjini i Gjakovës, Zenun Elezaj i Klinës, Smajl Latifi i Rahovecit, Bali Muharremaj i Suharekës e Bashkim Ramosaj i Deçanit, të gjithë këta nga AAK, raporton Klan Kosova.
Ndërkaq, nga LDK garuan Gazmend Muhaxheri i Pejës, Imri Ahmeti i Lipjanit, Sokol Haliti i Vitisë dhe Xhafer Gashi i Obiliqit.
Nga votat e deritanishme, Bedri Hamza mori 159 mijë e 124 vota.
E nga LDK, i pari doli Imri Ahmeti me 19 mijë 582, pasuar nga Gazmend Muhaxheri me 18 mijë e 70, Sokol Haliti grumbulloi 13 mijë e 565 sosh, kurse Xhafer Gashi 12 mijë e 235.
Ndërkaq, nga AAK, më së shumti u votua Ardian Gjini. Ai mori 10 mijë 144 vota, duke u pasuar nga Bashkim Ramosaj me 8 mijë e 30, më pas Smajl Latifi me 6 mijë e 349, Bali Muharremaj me 5 mijë e 964 dhe Zenun Elezaj me 4 mijë e 642.
Nga të gjithë këta deri më tani kanë siguruar ulëse veç Bedri Hamza, Imri Ahmeti e Gazmend Muhaxheri.
Prej kabineteve të këtyre dy të fundit, televizionit i thanë se si Ahmeti ashtu edhe Muhaxheri punën do ta vazhdojnë në komunat që kanë qeverisur deri më tani, derisa kandidimin e kanë bërë më qellim të ngritjes së partisë.
Një qëndrim të qartë nuk e ka ende Bedri Hamza. Ky i tha Klan Kosovës se vendimin do ta bëj publik pas rezultateve përfundimtare. /Klankosova.tv