Policia e Kosovës ka raportuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë regjistruar te kenë ndodhur gjithsej 19 aksidente trafiku, prej të cilave katër kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 15 të tjera me dëme materiale, transmeton Indeksonline.
Ndërsa brenda ditës policia rrugore ka shqiptuar gjithsej 814 gjoba kundërvajtëse ndaj të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që kanë thyer rregullat e trafikut.
Referuar përkeqësimit të motit, të reshurave të shiut dhe mundësisë së paraqitjeve të ngricave në ditët në vijim, Policia e Kosovës me njësitë relevante të saj do të ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor si në aspektin parandalues po ashtu edhe në atë veprues.
“Ne kemi zhvilluar në vazhdimësi një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore, duke filluar nga fushatat vetdijsuese përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, apeleve dhe informacioneve për publikun, me të vetmin qëllim, parandalimit të aksidenteve dhe ngritjës së sigurisë në trafik”, kanë deklaruar në polici.
Policia gjithashtu, në mënyrë konsistente ka zhvilluar dhe implementuar plane operative policore konkrete, si dhe ka ndërmarr masat e nevojshme ligjore, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me ligjin mbi sigurinë e komunikacionit rrugor.
Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek te gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat që dalin nga ligji për komunikacionin rrugor, t’i respektojnë shenjat e trafikut, si dhe të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike sidomos në orët e hershme dhe të vona, në mënyrë që të parandalohen aksidentet dhe pasojat e mundshme në njerëz.