Presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur dhënien e subvencioneve bujqësore prej 12 miliardë dollarësh amerikane për të ndihmuar fermerët amerikanë të dëmtuar nga lufta tregtare mes ShBA-së dhe Kinës, BE-së e vendeve të tjera.
Më parë, një nga arsyet që ShBA-ja niste luftërat tregtare ishte sepse, sipas saj, produktet që vendet e tjera eksportonin në ShBA ishin të subvencionuara nga qeveritë e këtyre vendeve. Por tani edhe Shtëpia e Bardhë do të japë subvencione.
Masa e Trump-ut vërteton përsëri paralajmërimin e ekonomistëve se nga lufta tregtare humbasin të gjithë dhe se në një luftë të tillë nuk ka të fituar.
Pas fillimit të luftës tregtare, sektori i bujqësisë i ShBA-së ka qenë objektivi i kundërmasave nga vendet e ndryshme. Fermerët amerikanë janë bërë viktima të luftës tregtare.
BE-ja, Kanada, Meksika dhe Kina u detyruan të ndërmarrin masa hakmarrëse duke shtuar tarifat ndaj produkteve bujqësore amerikane. Sipas Departamentit të Bujqësisë të ShBA-së, këto masa mund t’i shkaktojnë bujqësisë amerikane humbje ekonomike me një vlerë prej 11 miliardë dollarësh.
ShBA-ja e ka kritikuar gjithmonë politikën e subvencioneve të vendeve të tjera dhe e ka quajtur një politikë të tillë shkelje të rregullave të OBT-së. Por tani Shtëpia e Bardhë ndërmerr vetë një veprim të tillë që shkel rregullat e OBT-së sipas logjikës së saj.
















