BallinaLajmeShqiptarët e Çabrës së Zubin Potokut nuk e përjashtojnë luftën në rast...

Shqiptarët e Çabrës së Zubin Potokut nuk e përjashtojnë luftën në rast të shkëmbimit të territoreve

Kur banorët e këtij fshati në veri të Kosovës u kthyen në shtëpitë e tyre të shkatërruara nga forcat serbe në luftën e viteve 1998-1999, ata shpresuan të rindërtojnë dhe jetojnë në siguri për gjenerata me radhë.

Por tani ata frikësohen se mund të detyrohen të ikin sërish në bazë të propozimit për ndryshim kufijsh si pjesë e një zgjidhjeje të përhershme paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Politico.

Ideja e presidentëve Thaçi e Vuçiq ka hasur në shumë kritika që thonë se një gjë e tillë do të destabilizonte Ballkanin duke i nxitur tjerët të kërkojnë ndryshime kufitare. Ata shohin një rrezik për kthim të dhunës së motivuar etnikisht që shkatërroi rajonin në vitet e 1990-ta.

Vetëm biseda për shkëmbim territoresh i ka shqetësuar banorët e fshatit Çabër, një enklavë e vetmuar e populluar krejtësisht me shqiptarë por e rrethuar nga vendbanime serbe në kodrat e Zubin Potokut, në pjesën veriore të lumit Ibër.

“Na sjell kujtime të dhimbshme”, thotë udhëheqësi i fshatit, Agim Hasani.

Çdo ndryshim kufitar i negociuar nga Beogradi e Prishtina do të kishte implikime të mëdha për popullatën e Çabrës. Edhe pse asnjëra palë nuk ka zbuluar detaje për ndryshimet e propozuara, ideja e përgjithshme është që disa zona me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës do t’i bashkoheshin Serbisë ndërsa disa komunitete me shumicë shqiptare në jugun e Serbisë do t’i bashkoheshin Kosovës, transmeton Koha.net.

Kjo do të nënkuptonte që komuna e Zubin Potokut — me popullatë shumicë serbe — do t’i bashkohej Serbisë, nga veriu. Fshatarët e Çabrës thonë se nëse kjo ndodhë, ata do të largohen sesa të jenë nën sundimin e një vendi që shtypi dhunshëm ata dhe shqiptarët tjerë të Kosovës.

Fshati Çabër ishte në vijën e frontit të luftës, i shkatërruar aq shumë nga lufta sa që nga agjencitë humanitare u kategorizua si fshati më i shkatërruar në Kosovë.

Dëmi më i madh u shkaktua brenda një nate dhune më 29 mars, 1999, disa ditë pasi filluan sulmet ajrore të NATO-s ndaj pozicioneve ushtarake serbe. Fshatari Ekrem Kamberi, 45 vjeç, kujton të jenë zgjuar në ora 3 të mëngjesit nga granatat e hedhura nga pozicione afër fshatit fqinj serb Zupçë.

“Nuk e pritëm, dhe ishim të frikësuar”, thotë ai. Rreth 1,400 fshatarë ikën në kodrat përreth me traktorë apo vetura, e disa prej edhe pa pasur mundësi të vishen. Ata u shpërndanë nëpër shtëpitë e miqve apo të afërmve, apo “kudo që ishte e sigurt”. Kamberi ishte refugjat në Shqipëri. Në total, 21 persona u vranë. Pesë janë ende të zhdukur.

Pasiguria e ngritur nga bisedat për shkëmbim të kufijve ka goditur rëndë banorët e fshatit Çabër.

“Fshatarët ishin të zemëruar kur dëgjuan për të, duke shkruar nëpër media sociale”, thotë miku i Kamberit, Sabedin Uka, 52 vjeç, punëtor social. Uka ishte plagosur në këmbë nga një granatë në sulm serb gjatë luftës së vitit 1999.

“Presidenti s’mundet të vendosë të ndryshojë kufirin. Unë, dhe shumica e banorëve këtu, do të iknin nga Çabra – nuk do të ishte i sigurt”, thotë ai nga një zyrë e vogël administrative e fshatit, transmeton Koha.net.

Arsyeja pse ndihet në këtë mënyrë është e thjeshtë. “Ka të bëjë me të kaluarën”, thotë Uka, duke i hapur duart. Edhe Kamberi pajtohet. “Është e freskët”, thotë ai.

‘Nga bodrumi e sipër’

Kur banorët e fshatit Çabër u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftës, ata gjetën predha të djegura dhe grumbuj rrënojash ku dikur ishin shtëpitë e tyre.

“Kur u kthyem, gjithçka ishte rrafshuar – s’kishe as shkollë, asgjë s’kishte mbetur”, thotë Enver Hasani, drejtor i shkollës lokale. Pas ikjes së tyre, serbët kishin hyrë me buldozerë, duke i rrënuar dhe i djegur 230 ndërtesa, përfshirë edhe xhaminë lokale.

Për dy vjet, 700 të kthyer jetuan në tenda dhe në strehimore montazhë. Vetëm më 2001, me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, nisën të ndërtonin shtëpitë e reja “nga bodrumi e supër”, thotë Kamberi.

Me fondet e mbledhura nga “Body Shop Foundation” (një shoqatë bamirëse tashmë jo-funksionale e ndërlidhur me një kompani kozmetike me të njëjtin emër), ata ndërtuan edhe një shkollë të re – moderne, me ngjyrë krem me dyer druri të mençura.

Fshatarët tani jetojnë nën përkujdesjen e KFOR-it, automjetet e të cilëve vazhdimisht enden nëpër rrugën kryesore të fshatit Çabër. Por pajtimi me fqinjët serbë ka qenë i ngadaltë dhe i goditur nga kthesa të mëdha, transmeton Koha.net.

Në korridorin e shkollës rrinë të varura portretet e tre fëmijëve shqiptarë, të buzëqeshur e me flokë të çrregulluara – memorial për incidentin më të rëndë në historinë e pasluftës në Çabër. Një pasdite në marsin e vitit 2004, fëmijët, të moshave 9, 11 dhe 12, u fundosën në lum disa qindra metra më tej. Asokohe, raportimet thoshin se një serb nga Zupçi i kishte detyruar ata të hidheshin në ujë pasi ua kishte lëshuar një qen për t’i ndjekur, edhe pse një hetim i OKB-së nuk i mbështeti pretendimet për akt kriminal.

Image

Sot, lideri i fshatit Agim Hasani — që ishte në vend të ngjarjes pak minuta pas tragjedisë – thotë se beson që pronari i qenit ka vepruar paqëllimshëm. Por incidenti ishte i mjaftueshëm për të nxitur dhunë serioze. Me mijëra shqiptarë të mllefosur u ngritën në qytetin e ndarë të Mitrovicës dhe në qytete tjera. Nëntëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra kisha ortodokse serbe u dogjën deri në themel.

Që nga ajo kohë, banorët lokalë kanë punuar për t’i rregulluar jetët e tyre e duke i minimizuar në të njëjtën kohë tensionet me serbët e Zupçes.

“Këto ngjarje janë ende prezente – prindërit nuk do t’i harrojnë kurrë”, thotë Hasani. Ka pasur barrikada mes Çabrës dhe Zupçit, dhe njerëzit shkëmbenin fjalë të rënda çdo ditë. Por jo më. Ia kemi dalë ta stabilizojmë fshatin”.

Banorët e dy fshatrave i kryejnë punët e tyre të përditshme ndaras, rrallë kanë kontakt me njëri-tjetrin, ndërsa Hasani thotë se komunikimi mes udhëheqësve të komuniteteve është i rregullt.

Ideja e shkëmbimit të territoreve gjeti pak përkrahje

Ideja e prezantuar për shkëmbim territoresh ka gjetur pak përkrahje, përfshirë një pjesë të serbëve të Kosovës, që ndihen të shqetësuar me trajtimin që ua kanë bërë autoritetet e Kosovës nga lufta.

Lazar Rakiqi, 30 vjeç, që është rritur në Zupçë dhe tani është menaxher i programit në “Alternative Dispute Resolution Centre”, një OJQ në veri të Mitrovicës, thotë se serbët përballen me probleme administrative, siç është marrja e dokumenteve bazike përfshirë certifikatat e lindjes dhe certifikatat martesore. Ai thotë se nuk është nacionalist, por e sheh shkëmbimin e territoreve si një mënyrë pragmatike që Vuçiqi të njohë Kosovën pa e humbur mbështetjen serbe, transmeton Koha.net.

Ai propozon një mënyrë që mund të gjendet që Çabra të mbetet pjesë e Kosovës. “Është i lidhur me rrugë me Mitrovicën jugore, kështu që mund të vizatojnë kufirin përreth tij”, thotë ai.

Por në Çabër, Enver Hasani thotë se ndien që shkolla e tij është në harresë. “Çka dëshirojmë për të ardhmen është që fëmijëve tanë t’u japim edukim cilësor. Por përderisa kemi këtë situatë të pasigurt, këto ëndrra janë të turbullta”, thotë ai.

Ai thotë se “90 për qind është e sigurt” se nuk do të ketë shkëmbim. “Por nuk e dimë se çka mund të ndodhë”, thotë ai. “Korrigjimi kufitar mund të ndryshojë të gjitha ëndrrat dhe realitetet tona”.

Kryetari i fshatit, Agim Hasani, flet me pasion për vendlindjen e tij, Çabrën. “A e dini se çfarë është vendlindja? Vendi ku keni lindur? Për ne, është një vend i shenjtë”, thotë ai.

Banorët e Çabrës do të refuzonin të jetonin nën sovranitetin serb, insiston ai – dhe shton një paralajmërim, duke insistuar se shqiptarët nuk do të pranojnë të jetojnë sërish nën sundimin serb.

“Serbia, Hashim Thaçi, dhe të gjithë ata që mbështesin këtë, nuk duhet të mendojnë se shqiptarët do të jenë siç ishin vite më parë – ta tolerojnë këtë”, thotë ai.

A do të thotë kjo se shkëmbimi i kufijve nuk do të jetë paqësor? “Gjithçka mund të ndodhë këtu. Prekja e kufijve nënkupton luftë”, thotë ai.