back to top
Wednesday, September 24, 2025
BallinaLajmeShala për dy vjetorin e sulmit në Banjskë: Strukturat paralele të mbështetura...

Shala për dy vjetorin e sulmit në Banjskë: Strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi vazhdojnë të ekzistojnë dhe të ushtrojnë ndikim

Të ngjajshme

Dy vite pas sulmit terrorist në Banjskë, i cili tronditi jo vetëm Kosovën por të gjithë rajonin, eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se reagimi fillestar i shtetit ishte profesional dhe vendimtar. Forcat e rendit, sipas tij, vepruan me efikasitet duke neutralizuar menjëherë grupin e armatosur dhe duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Megjithatë, Shala thekson se “procesi pasues ka treguar se ka ende mangësi serioze në aspektin institucional dhe gjyqësor”. Sipas tij, pavarësisht suksesit taktik, organizatorët kryesorë të sulmit nuk janë sjellë ende para drejtësisë dhe shumë figura politike e kriminale që qëndrojnë pas këtij akti vazhdojnë të jenë të lirë.

“Kjo minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe lë hapësirë për perceptimin se drejtësia ndërkombëtare është selektive,” vlerëson Shala për Lajmi.net.

Ai shton se dy vite më vonë, megjithëse Kosova tregoi kapacitete të larta në terren, aspekti strategjik i forcimit të shtetit ligjor dhe konsolidimit të besimit qytetar “mbetet i paplotësuar”.

Sa i përket gjendjes aktuale në veri të vendit, Shala thotë se situata e sigurisë ka ndryshuar ndjeshëm. Institucionet e rendit dhe sigurisë kanë rritur kapacitetet profesionale, teknike dhe operative, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është intensifikuar. Kjo ka sjellë, sipas tij, një nivel më të lartë kontrolli në terren, ndonëse sfidat nuk janë zhdukur.

“Strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi vazhdojnë të ekzistojnë dhe të ushtrojnë ndikim politik, ekonomik dhe të sigurisë”, thotë Shala. Kjo, sipas tij, i mban tensionet ende të hapura dhe krijon terren për destabilizim të mundshëm.

Eksperti e cilëson qetësinë aktuale në veri si “të brishtë dhe të kushtëzuar nga faktorë të jashtëm”, duke theksuar se përkundër përmirësimeve, rreziku nuk është eliminuar plotësisht.

Në një analizë më të thelluar të rrezikut të përsëritjes së sulmeve të ngjashme me atë të Banjskës, Shala pohon se kjo mundësi ekziston ende, sidomos gjatë proceseve politike të rëndësishme apo kur dialogu Kosovë–Serbi hyn në faza delikate.

“Inteligjenca dhe informacionet operative sugjerojnë se ekziston gjithmonë mundësia që grupet e organizuara kriminale dhe paramilitare, të mbështetura nga shërbimet e sigurisë së Serbisë, të aktivizohen në momente të caktuara kur tensionet politike arrijnë pikën kritike,” paralajmëron Shala.

Ai nënvizon se ndryshe nga viti 2023, sot Kosova ka ngritur ndjeshëm aftësitë parandaluese dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është shumë më i ngushtë, gjë që e bën të vështirë përsëritjen e një skenari të ngjashëm në të njëjtën formë.

“Rreziku është real, por menaxhimi i tij është më i avancuar. Përgjigja institucionale sot do të ishte më e koordinuar, më e shpejtë dhe më efektive,” përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz