Ministri i Punëve të Brendshme dhe nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se ka marrë vendimin për pezullimin e ndeshjes së hendbollit mes Serbisë dhe Kosovës për grupmoshat deri në 20 vjeç
“Kam marrë vendimin që turneu kualifikues për hendboll i ekipeve juniore ndërmjet përfaqësueses së Serbisë dhe të Kosovës të pezullohet”, ka deklaruar Stevanoviq, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se ndeshja kualifikuese nuk do të mbahet në orët e pasdites siç ishte planifikuar, se për këtë paraprakisht ishte konsultuar me ministrin e Sportit dhe për vendimin e ka njoftuar edhe kryeministrin dhe kryetarin e Serbisë.
“A kemi mundur që të organizohemi që të mbahej kjo ndeshje? Gjithsesi. Cili do të ishte çmimi? Konflikti ndërmjet popullit tonë dhe policisë për gjërat në të cilat nuk besojnë dhe që janë në kundërshtim me interesat tona. Për këtë arsye nuk jemi të gatshëm që policia t’i rrahë njerëzit që të mbahej ndeshja, e cila është në kundërshtim me qëndrimet tona”, ka deklaruar ai.



