Sot, në Hagë po dëshmon James Rubin ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.
Ai tha se gjatë viteve 1989-1993 kishte vizituar zonat e luftës në ish Jugosllavi.
Ai tha se kishte vizituar Kroacinë, Serbinë e më pas edhe Bosnjën për çka tha se ishin fokuset e këtyre udhëtimeve, shkruan lajmi.net.
“Gjatë luftërave në atë kohë, Kroaci, Serbi dhe Bosnje, këto kanë qenë fokuset e këtyre udhëtimeve, megjithatë duke qenë i vetëdijshëm se konflikte të tilla mund të shtriheshin më tej, ne e kuptuam se ajo çka po ndodhte në Kosovë ishte gjithashtu shumë e rëndësishme”, ka thënë Rubin.
Ai gjithashtu tha se në atë periudhë ka vizituar Prishtinën 2 ose tri herë dhe ka takuar Ibrahim Rugovën.
“Kështu që kam përshtypjen se e kam vizituar Prishtinën në atë kohë 2 ose 3 herë, gjatë asaj kohe jam takuar së paku 1 ose 2 herë me Ibrahim Rugovën, kam takuar edhe shqiptarë të tjerë, persona të tjerë me influencë në Kosovë në atë kohë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/