Adnan Rrustemi, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga LVV-ja, ka deklaruar se veprimet e Qeverisë Kurti në veriun e Kosovës përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
“Ajo se çfarë ka bërë Qeveria Kurti në veriun e Kosovës është e jashtëzakonshme. Për bindjen time, pas shpalljes së pavarësisë dhe krahas shpalljes së pavarësisë, marrja nën kontroll e veriut të Kosovës është ngjarja më e rëndësishme politike në këto 26 vite në Kosovë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se qëndrimet e kundërta politike për zhvillimet në veri janë të natyrshme, por gjuha që përdoret duhet të mbetet brenda kornizave politike.
“Nëse ke qëndrim diametralisht të kundër me veprimet në veri , nuk mund të ketë gjuhë të moderuar politike, sepse pozicionet janë radikale, ama gjuha duhet të jetë politike, asnjëherë nuk duhet të jetë fyese e poshtëruese”, deklaroi ai në Tëvë1.
Rrustemi theksoi se menaxhimi i situatës në veri ka krijuar realitet të ri politik dhe institucional për vendin.