back to top
Friday, September 12, 2025
BallinaLajmeRrugët e vdekjes, për pesë muaj 37 të vdekur në komunikacion

Rrugët e vdekjes, për pesë muaj 37 të vdekur në komunikacion

Të ngjajshme

Mbi 5200 aksidente në komunikacion janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë periudhës janar – maj të këtij viti, me ç’rast 37 qytetarë kanë humbur jetën. Prishtina prin me numrin e aksidenteve me fatalitet, përderisa në Ferizaj nuk është regjistruar asnjë rast i aksidenteve me të vdekur, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti 37 kosovarë e kanë humbur jetën nga aksidentet në komunikacion, ku vetëm në regjionin e Prishtinës kanë vdekur 14 veta.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur për “Zërin” se gjatë periudhës janar – maj 2019, 5217 aksidente komunikacioni janë regjistruar në gjithë vendin. Pas Prishtinës, qyteti me më së shumti aksidente të shkaktuara gjatë këtij viti është ai i Prizrenit me 612 aksidente, ku 7 persona kanë humbur jetën, pastaj ai i Pejës me 510 aksidente me 3 viktima në komunikacion, në Mitrovicën e Jugut janë regjistruar gjithsej 378 aksidente në komunikacion, ku 1 person ka humbur jetën, në Gjilan 5 qytetarë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafik, në Gjakovë 4 të vdekur, përderisa në regjionin e Ferizajt gjatë kësaj periudhe kohore fatmirësisht nuk është regjistruar asnjë aksident me fatalitet.

Për shkak të numrit të madh të aksidenteve me fatalitet, Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes maksimal gjatë vozitjes. “Policia e Kosovës në vazhdimësi ka plane konkrete për sigurinë në trafik dhe realizon fushata vetëdijesuese dhe njëkohësisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, t’i respektojnë shenjat e trafikut rrugor, si dhe të jenë shumë vigjilentë.

Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për t’i shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, kanë thënë zyrtarët policorë, duke shtuar se për shoferët e papërgjegjshëm sivjet kanë shqiptuar mbi 170 mijë tiketa në trafik.

Gjatë muajve të verës rritet numri i aksidenteve

Eksperti i sigurisë në vend Nol Dedaj ka thënë për “Zërin” se gjatë stinës së verës rritet edhe numri i aksidenteve në vend. Sipas tij, institucionet në vend nuk janë duke u angazhuar në studimin e gjendjes së sigurisë në komunikacion.

“Në rritjen e numrit të aksidenteve në masë të madhe ndikon edhe rritja e numrit të automjeteve në Kosovë, sidomos gjatë muajve të stinës së verës, prandaj është e nevojshme që të ngrihet niveli i menaxhimit të qarkullimit të automjeteve. Studimi i gjendjes së sigurisë në komunikacion sigurisht se do kishte rezultuar me identifikimin e elementeve të faktorëve, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurinë e komunikacionit, pas identifikimit të tyre sigurisht se do të merren edhe masat preventive adekuate”, ka thënë ai.

Dedaj ka thënë se rrugët më të rrezikshme ku edhe shkaktohen aksidentet janë rrugët nacionale me dy shirita të qarkullimit e më pastaj rrugët regjionale. Sipas tij, për shkak të shpejtësisë së madhe aksidentet përfundojnë edhe me fatalitet.

“Rrugët më të rrezikshme për aksidente mbeten rrugët nacionale me dy shirita të qarkullimit të dedikuar për lëvizjen e automjeteve me kahe të kundërt, më pas vijnë rrugët regjionale dhe me pas rrugët lokale e urbane. Sa i përket autoudhës numri i aksidenteve duhet të jetë më i vogël, por për fat të keq kur ndodhin aksidentet ndodhin me fatalitet për shkak të shpejtësisë”, ka thënë ai.

“Rruga e vdekjes” në Kosovë

Rruga Prishtinë – Podujevë po vlerësohet të jetë “Rruga e vdekjes” për shkak të numri të madh të aksidenteve që janë shkaktuar vit pas viti.

Avni Islami, ekspert i sigurisë në vend, ka thënë për “Zërin” se kjo rrugë është e ngarkuar me shumë vetura, sidomos edhe me ato të mërgimtarëve që vijnë për pushime në Kosovë, andaj edhe numri i aksidenteve në këtë pjesë është i madh.

“Rrugën Prishtinë – Podujevë vitin që shkoi e pata emërtuar ‘Rruga e vdekjes”, në të cilën rrugë ka jashtëzakonisht shumë ngarkesë, duke e ditur se lidh dy qytete, por edhe duke e llogaritur se është rrugë që përdoret nga mërgimtarët. Kjo është rrugë shumë e ngarkuar. Në vitin që shkoi më së shumti ka pasur aksidente e sidomos aksidente të rënda e me fatalitet”, ka thënë ai.

Islami ka thënë se përpos shpejtësisë së madhe, shkaktar kryesor i aksidenteve është edhe moskujdesi i shoferëve. Sipas tij, masat e mara deri më tani për parandalimin e numrit të madh të aksidenteve nuk kanë qenë te suksesshme.

“Në secilin vit për fat të keq nuk kemi rënie të aksidenteve, por po shkon në rritje graduale e kjo është shqetësuese për shkak se po del që institucionet përgjegjëse nuk po e gjejnë strategjinë e saktë se si të bëhet parandalimi i këtyre aksidenteve. Kanë provuar disa mënyra – rritjen e gjobave që për fat të keq nuk ka rezultuar të jetë e suksesshme. Vitin që shkoi janë përdorur edhe dronët me kamerë, mirëpo as kjo nuk ka pasur sukses”, ka thënë ai.

Ai ka thënë më tej se njëra nga masat që do të mundë të kishte efekt në parandalimin e aksidenteve do të ishte vendosja e radarëve statikë në vende të caktuara dhe mosnjoftimi i qytetarëve se ku janë të vendosur radarët./ZERI

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz