Qyteti i Prishtinës ditëve të fundit po përballet me një masë të lartë të ndotjes së ajrit, gjë që ka shkaktuar alarm edhe tek qytetarët dhe institucionet përkatëse.
Sipas matjeve të fundit, kryeqyteti i Kosovës është renditur si vendi më i ndotur në botë. Ajri në qytet po cilësohet si i rrezikshëm për shëndetin, ndërkohë që nuk po zbatohet ndonjë strategji e cila do të ndikonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Matjet ditore që i bëhen ajrit në Prishtinë, asnjëherë nuk zbresin nën 400 PM.
Ekologu kosovar, Shyqri Dumani në një intervistë për Periskopin ka thënë se kjo masë e ajrit të ndotur ka ardhur si pasojë e krijimit të mjegullës dhe brymës, meqë regjistrohen si thërmija fizike apo ndotës fizik.
‘Ajri i ndotur është për shkak të mjegullave dhe sic thotë populli brymës dhe kjo ka krijuar një situatë dhe gjendje shqetësuese, pasiqë mjegulla me brymë edhe regjistrohet si thërmija fizike, si ndotës fizik por edhe bëjnë një lloj mbyllje të ndotësve, praktikisht të atyre që dalin nga komunikacioni rrugor. Këto gazra nuk mund të shpërndahen në atomsoferë. Praktikisht është një lloj burgosje e gjitha gazrave në një largësi dy apo tri metra’’, ka thënë Dumani për Periskopin.
Sidoqoftë, ai thotë se situata nuk është aq alarmante sa po predikohet, pasi pajisjet regjistrojnë edhe thërmijat e mjegullës dhe brymës, e që janë ndotës fizik.
‘’Praktikisht këto matje tregojnë një gjendje reale, por ku e marrin situatën me analizu nuk mundet me qenë aq alarmante sa po e predikohet, për arsye se pajisjet regjistrojnë edhe thërrmijat e mjegullës dhe brymës. Këto thërrmija janë ndotje fizike, megjithatë krijojnë një situatë që nuk është e përshtatshme për ata qytetarë të cilët kanë sëmundje kronike, të sistemti respirator, pasi atyre u manifestohet më shumë kjo ndotje.’’, ka thënë ekologu Dumani.
Sipas tij, faktorë tjerë të ndotjes janë komunikacioni i ngarkuar rrugor, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje, ndërtimet e larta dhe pa plan, mungesa e mjediseve të gjelbëruara etj.
‘’Faktori numër një është komunikacioni rrugor dhe lëndër djegëse që përdoren për ngrohje në shtëpi, kështu që nuk mund t’i eleminojmë. Megjithatë mjegulla dhe bryma, dmth kushtet meteorologjike e krijojnë një situatë edhe më të disfavorshme në kuptimin e ndotjes së mjedisit.’Gjendja e ajrit në Prishtinë rregullohet në momenin kur të largohet mjegulla dhe të krijohet një situatë më e mirë. Të gjithë qytetarët që duan të lëvizin dhe kanë sëmundje kronike të sistemit respirator duhet të dalin në mometin kur dielli del praktikisht dhe mjegulla hiqet.Është situatë më e favorshme për të gjithë‘’, ka shtuar Dumani për Periskopin.
Ai tregon masat afatgjate që duhet të ndërmarrin institucionet në mënyrë që të shmaget kjo gjendje jo e favorshme për shëndetin e qytetarëve të Prishtinës.
‘’Institucionet vetëm munden me i minimizu këta faktorë që po e determinojnë ndotjen, por për momentin nuk munden me ndërmarrë asgjë, ndërmarrjet që duhet t’i bëjnë janë afatgjate.Prishtina praktikisht është qytet me plot labirinte, si rezultat i ndërtimeve të larta, pa leje dhe pa plan urbanistik. Labirintet e krijojnë një gjendje të rënduar të ajrit në qytetin e Prishtinës. Ndërtesat e larta krijojnë labirinte ku grumbullohen gazrat dhe krijohet mjegulla”, shton më tej Dumani.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot ka njoftuar se me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë, e veçmas në Prishtinë, efektet afatshkurta na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.
Ky institut propozon masa strategjike, duke nisur me implementimin urgjent të planit të veprimit i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pastaj implementimin i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës sot ka votuar për formimin e një Task Force ndërministrore, në mënyrë që të merren masa të veçanta në mbrojtje të ajrit, por gjithashtu për të marrë vendime dhe për të fuqizuar udhëzimet administrative që janë në fuqi në mbrojte të ambientit.