Pas muajsh ndarjeje, aludimesh dhe thashethemesh për fundin e romancës së tyre, Megan Fox dhe Machine Gun Kelly duket se kanë rilidhur fijet e dashurisë. Çifti, që prej marsit të këtij viti është bërë prind i një vajze, Saga Blade, ka gjetur sërish ekuilibrin pas një periudhe të trazuar në marrëdhënie.
Sipas revistës People, dyshja po kalon shumë kohë bashkë me të porsalindurën, edhe pse zyrtarisht nuk e kanë konfirmuar rikthimin. “Ai kalon pothuajse çdo natë në shtëpinë e saj. Sillen si çift, por pa e quajtur kështu”, është shprehur një burim për DailyMail.
Në një intervistë të fundit për The Jennifer Hudson Show, MGK, emri i vërtetë i të cilit është Colson Baker, e quajti Megan “një nënë fenomenale” dhe zbuloi se emri i vajzës së tyre, Saga, vjen nga mitologjia nordike, që simbolizon “një histori epike dashurie dhe magjie”.
Edhe pse ende jetojnë në shtëpi të ndara, burime pranë çiftit thonë se fokusi i tyre është tashmë tek prindërimi dhe harmonia familjare. “Megan është e lumtur me mënyrën se si ai po kujdeset për vajzën dhe për të”, është shprehur një tjetër burim për People.
Reperi pritet të nisë turneun e tij muzikor në nëntor me albumin e ri Lost Americana, ndërsa Fox është tërësisht e përkushtuar ndaj foshnjës. Sipas miqve të afërt, vogëlushja Saga ka sjellë paqe dhe një ndjenjë të re bashkimi në jetën e tyre.