back to top
Wednesday, March 11, 2026
BallinaSportReal – City sfidë jo veç në fushë, “Los Blancos” i duan...

Real – City sfidë jo veç në fushë, “Los Blancos” i duan dy yje të “Citizens”

Të ngjajshme

Stadiumi “Santiago Bernabéu” po përgatitet ta presë një tjetër natë të madhe të Ligës së Kampionëve, edhe pse atmosfera para ndeshjes nuk duket aq elektrizuese sa pritej.

Më pak se 24 orë para përballjes mes Real Madridit dhe Manchester Cityt, nuk ishin shitur ende krejt biletat.

Çmimet e larta të tyre dhe disa mungesa të rëndësishme te madrilenët – mes tyre Kylian Mbappé, Rodrygo dhe Jude Bellingham – i kanë ftohur disi pritshmëritë për këtë sfidë që gjithsesi mbetet e mbushur me yje.

Një nga protagonistët është pa dyshim Erling Haaland.

Sulmuesi norvegjez i Cityt i ka realizuar 29 gola dhe 7 asistime këtë sezon dhe e njeh mirë Bernabéun: herën e fundit që luajti në Madrid, më 10 dhjetor, shënoi në fitoren 2-1 të anglezëve në fazën e ligës së Championsit.

Sipas raportimeve të mediave franceze, Real Madridi vazhdon ta ëndërrojë një të ardhme me Haalandin në skuadër, ndoshta përkrah Mbappé, përcjell “Gazeta Express”.

Ideja do të ishte që francezi të luante në krahun e majtë, ndërsa norvegjezi në qendër të sulmit.

Gjithçka mund të varet edhe nga situata kontraktuale e Vinícius Júnior, i cili ende nuk e ka vazhduar kontratën që i skadon në vitin 2027.

Por klubi madrilen nuk ndalet vetëm te Haaland.

Sipas raportimeve nga Spanja, drejtuesit e “Los Blancos” po e ndjekin me shumë vëmendje edhe mesfushorin e Cityt, Rodri.

Spanjolli, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, konsiderohet profili ideal për ta udhëhequr mesfushën pas largimeve të legjendave Toni Kroos dhe Luka Modrić.

Vetë Rodri e ka pranuar se ideja për të luajtur te Real Madridi është joshëse.

“Kur të telefonon Real Madridi është një nder, duhet të jesh gjithmonë i vëmendshëm,” kishte deklaruar ai, fjalë që nuk kanë kaluar pa u vënë re nga presidenti Florentino Pérez.

Kështu, përballja mes Real Madridit dhe Manchester Cityt nuk është vetëm një duel spektakolar në fushë, por edhe një sfidë që mund të ndikojë në “pazar”, me dy nga yjet e skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola që janë në radarët e klubit madrilen. /Gazeta Express

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz