Sociologu Ardian Gola gjatë ditës së sotme ka bërë një reagim shumë të ashpër pas rastit të ndodhur në Drenas ku një hetues policor u përfshi në abuzimin seksual të një të miture.
I ftuar në emisionin FRONTAL të T7, Gola ka thënë se është e qartë që atë reagim e ka bërë nën afekt, megjithatë thotë se nuk është pishman fare.
Sipas tij rasti i ndodhur në Drenas, është një tragjedi kombëtare, pasi në një incident të tillë janë të përfshira tre institucionet jetike të shtetit.
“Kjo është një lloj tragjedi kombëtare, jo vetëm pse është abuzuar një e mitur. Por sepse në këtë abuzim janë të përfshira tri institucionet themelore. Edukimit, shëndetësia dhe arsimi”, ka thënë Gola në Frontal , raporton Gazeta Express.
Sipas tij, edhe Kuvendi i Kosovës do të duhej të thirrtë një seancë të jashtëzakonshme, pasi sipas tij ky skandal tregon se sa alarmante është situata.
“Kjo hallkë e bënë krimin të trefishtë. Ky do të duhej të ishte një alarm , madje duhet të thirret edhe një seancë e jashtëzakonshme. Kush është duke i mësuar fëmijët tonë nëpër shkolla. Eksponentë institucional. Kjo tragjedi tregon një krizë të thellë morale nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri”, ka shtuar ai.
Gola thotë se shoqëria kosovare nuk gjendet në ndonjë krizë politike apo ekonomike, por vetëm në një krizë morale.
Sipas tij këto incidente mund të jenë si pasojë e tranzicionit të shpejtë si shoqëri.
“Ne kemi kalu shumë shpejtë prej kuleve në miniq. Ky trancizion shumë i shpejtë ka qenë traumatik”, ka thënë ndër të tjera Gola.