‘Rasti Drenasi’, SHKK demanton Halilajn

Përmes një deklarate për media, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të avokatit nga Drenasi, Gazmend Halilaj, se “në burg është trajtuar në mënyrë çnjerëzore, dhe nuk i kanë dhënë bukë”.
SHKK-ja ka thënë se pretendimet e avokatit Halilaj nuk janë të vërteta.
“Z. Halilaj, nga 01.03.2019 deri më 25.03.2019, ishte në masën e paraburgimit dhe po qëndronte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.
Gjatë kësaj periudhe kohore është trajtuar konform ligjit në fuqi, rregullave edhe rendit shtëpiak të QPL-së. Në dhomë ka qenë i shoqëruar nga dy të paraburgosur të tjerë dhe nuk është dalluar asnjëherë në trajtim, po ashtu është ushqyer njësoi si të tjerët”
Lexo edheKronika e RTK- së që pasqyron potencialin turistik të liqenit të Vasilevës dhe mungesën e investimeve në këtë liqen
SHKK ka thënë se avokati Halilaj ka pasur vizita të rregullta mjekësore, është vizituar nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe nga Zyra e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
“Të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit trajtohen konform konventave ndërkombëtare, andaj SHKK dënon çdo dezinformoftë, e cila ka për qëllim zbehjen e imazhit dhe mundin e stafit të SHKK-së”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Korrektues të Kosovës. /GazetaExpress/














