Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Egzon Azemit dhe Arlind Manxhukës, avokati Musa Damati ka sqaruar për lajmi.net aspektet kushtetuese dhe procedurale lidhur me rastin dhe efektet e tij juridike.
Sipas tij, çështja e mandatit të deputetit rregullohet qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dispozitat përkatëse.
“Mandati i deputetit fitohet dhe humbet duke u bazuar në dispozitat kushtetuese, të cilat definohen qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Damati.
Ai ka theksuar se në këtë rast vlen parimi i prezumimit të pafajësisë, sipas të cilit çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa të ketë një vendim të formës së prerë.
“Prezumohet pafajësia, që nënkupton se çdo person i akuzuar konsiderohet i pafajshëm derisa nuk konfirmohet e kundërta me vendim të plotfuqishëm të gjykatës”, ka deklaruar ai.
Damati ka shtuar se rasti aktual ndodhet ende në procedurë ankimore dhe nuk është përfundimtar.
“Në rastin konkret, stadi i procedurës penale është në fazën e apelit, pra rasti nuk është i plotfuqishëm”, ka theksuar ai.
Sipas tij, efektet juridike të një vendimi gjyqësor fillojnë vetëm pas formës së prerë.
“Efektet e vendimeve gjyqësore në procedurën penale fillojnë të prodhojnë pasoja juridike nga momenti i plotfuqishmërisë së vendimit”, ka shtuar Damati./lajmi.net/