Pas përfundimit të seancës parlamentare, e cila zgjati vetëm 25 minuta dhe gjatë së cilës u miratua programi politik i qeverisë 2025-2029 si dhe kabineti i ri “Rama 4”, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale.
Ai ka kritikuar opozitën për kaosin që sipas tij shkaktoi, duke mos lejuar prezantimin e programit qeverisës dhe duke shkelur kufirin etik të debatit parlamentar.
Sipas Ramës, 83 mandatet që mori Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 majit janë një detyrim jo vetëm për të respektuar votuesit e tij, por edhe për t’u dhënë opozitës hapësirën e duhur për të shprehur fjalën e saj në Kuvend.
Megjithatë, ai thekson se kjo nuk mund të vazhdojë paqësisht për sa kohë opozita vazhdon me “avazin e vjetër të pengmarrjes së Kuvendit”.
“Kjo strategji bllokuese duhet të ndërpritet, në mënyrë që opozita të ketë të papenguar të gjitha hapësirat për të folur në Kuvend, ashtu siç i takon”, shkruan Rama në postimin e tij.
“83 mandatet e 11 majit për ne janë ndër të tjera edhe një detyrim për të respektuar zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre në Kuvend të gjithë hapësirën për të folur, po edhe një detyrim ndaj zgjedhësve tanë për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën e sharjet e rrugës si alternativë opozitare. Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian dhe opozita do të ketë të papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare. Ndërsa shkelja e atij kufiri për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës”, tha Rama.
Në postimin e tij, Rama ka ndarë edhe fjalën e ministres Diella në parlament, duke thenë se Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë.
“Bashkëngjitur fjala e parë e Diellës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila u transmetua nga monitorët e sallës, ndërkohë që çka nuk arrita dot të them ndër të tjera, ishte se me shumë gjasë, brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë”, tha Rama./EuronewsAlbania/